Futboll

FC Albania e Cyrihut është fituese e Kupës së Unionit në Zvicër për vitin 2018

Në finalen e zhvilluar në Basel, FC Albania me rezultat 4:2 e mundi FC Ilirinë e Solothurnit

FC Albania e Cyrihut është fituese e Kupës së Unionit në Zvicër për vitin 2018, përcjellin RadioVala dhe Albsport.ch.

Në finalen e zhvilluar në Basel, FC Albania me rezultat 4:2 e mundi FC Ilirinë e Solothurnit.

FC Iliria kishte epërsi pre dy golash deri në pushimin e parë, më pas rezultatin e përmbysen futbollistët e FC Albanisë duke shënuar katër gola.

Garat e Kupës së Unionit u zhvilluan në dy grupe me nga katër ekipe.

Në Grupin A bënin pjesë FC Tetova e Bazelit, FC Tetova e Cyrihut, FC Iliria e Solothurnit dhe Besa e Winterthurit. Garat më tej i vazhduan FC Besa dhe FC Iliria.

Ndërkaq në Grupin B ishin FC Kosova e Cyrihut, FC Albania e Cyrihut, FC Dardania e Baselit dhe FC Bashkimi i Siebnenit.

Organizatorë të Kupës së Unionit ishin Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër dhe FC Tetova e Baselit.

Hapjen e garave të sivjetme e bëri kryetari i UKSHFZ-së, Feti Demolli dhe Sekretari i Përgjithshëm, Fatmir Osmani. Morën pjesë edhe Nënkryetari i UKSHFZ-së, Rini Dauti dhe anëtari, Ardit Sadikaj.

Me një minutë heshtje u nderua i ndjeri Fadil Vokrri, ish futbollist dhe Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Autor: Kasam Selimi