Sport

FC Baseli i Shaqirit dhe Xhakës, fiton Kupën e Zvicrës

Pas gjuajtjes së pesë penalltive nga secila skuadër, FC Baseli doli më i mirë: 5 me 3 për bazelasit

FC Basel ka fituar për herë të dytë me radhë Kupën e Zvicrës në futboll. Po ashtu për herë të dytë me radhë skuadra nga Bazeli sivjet ka fituar edhe titullin e kampionit.

Në ndeshjen për kupën e Zvicrës në mes të FC Baselit dhe FC Luzernit që u luajt sonte në stadiumin Stade Suisse të Bernës, shikuesit patën rastin të shihnin një lojë shumë dinamike. Megjithëse bazelasit konsideroheshin si favoritë të qartë, rrjedha e ndeshjes tregoi diçka tjetër. Futbollistët e Lucernit nuk tregonin aspak respekt për kampionin aktual dhe të vitit të kaluar Fc Baselin. Përkundrazi,  loja ishte e nivelizuar, me një epërsi të caktuar të Lucernit.

Megjithatë, golin e parë në minutën 56, e shënoi FC Baseli, respektivisht veterani i skuadrës Beniamin Hugel, të cilit topin ia hodhi veterani tjetër, Alex Frei. Pas një tronditjeje që nuk zgjati shumë. Lojtarët e Lucernit iu kthyen dinamikës dhe lojës ofensive duke rrezikuar portën e FC Baselit. Ky dinamizim i tyre shumë shpejt u kurorëzua me golin e barazimit. Ishte minuta e 67 e ndeshjes kur kroati Puljic ndryshoi rezultatin në 1 me 1.

Në ndeshje për Lucernin ka munguar Kukeli i pezulluar, i cili javën e kaluar në lojën kundër YB ishte dënuar me karton të kuq. Në listën e rezervistëve ishin edhe Hyka dhe Kryeziu. Hyka u aktivizua në pjesën e shtesë, në minutën e 95-të.

Për FC Baselin gjatë tërë ndeshjes kanë luajtur dy futbollistët ndër më të mirët në kampionat, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka. Të dy kanë qenë në nivel të lartë, ndërsa Shaqiri ka pasur edhe disa shanse shumë të mira për të shënuar.

Në minutën e 89, pas një fjalosjeje të Xhakës me Gygax-in e Lucernit, të dy dënohen me kartonë të verdhë.

Pas kalimit të 90 minutave të rregullt, ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë 1:1, kështu që u desh të luhet loja shtesë.

Në minutën e 95-të, pas lëndimit që pësoi Lezcano, në lojë për Lucernin u inkuadrua futbollisti shqiptar Jahmir Hyka.

Edhe pas dy pjesëve të lojës shtesë, rezultati mbeti i njëjtë kështu që u desh të luhej me penallti.

Pas gjuajtjes së pesë penalltive nga secila skuadër, FC Baseli doli më i mirë: 5 me 3 për bazelasit.