Futbolli Shqiptar në Zvicër

FC Iliria, klubi me13 ekipe në kampionatin zviceran

Ilirët kanë shkruar historinë si klubi i parë shqiptar që ka marrë pjesë në garat për Kupën e Zvicrës duke qenë në një kategori me skuadra të mëdha si Baseli e Cyrihu

FC Iliria e Solothurnit ka arritur kulmin e sukseseve në vitin 2016. Stinorin vjeshtor ajo ka startuar në ligën e dytë ndër-regjionale dhe si fituese e Kupës së Solothurnit, ka fituar të drejtën për pjesëmarrje në garat e Kupës së Zvicrës. Kështu, shqiponjat ilire, kanë shkruar historinë si klubi i parë shqiptar që ka marrë pjesë në garat për Kupën e Zvicrës duke qenë në një kategori me skuadra të mëdha si Baseli e Cyrihu. Pasi kanë kaluar me sukses përballjen e parë, të dytnë e kanë humbur nga ekipi i Challengue ligës, FC Schaffhausen.

Me gjithë sukseset e shpejta e të mëdha të klubit futbollistik shqiptar, Ilirët e Solothurnit janë ballafaquar këtë vit më vështirësi serioze në start të stinorit vjeshtor. Ata e kanë mbyllur stinorin vjeshtor në fundin e tabelës të grupit të 5-të të ligës së dytë ndër-regjionale, me vetëm 7 pikë të tubuara nga 13 ndeshje që kanë zhvilluar gjatë këtij stinori. Por kjo gjendje ka ndryshuar me ardhjen e trajnerit të ri me përvojë nga Liga e Dytë Ndërregjionale, Xhevdet Dullaj, me çka ekipi ka filluar të këndellet dhe të shkëputet nga fundi i tabelës.

Drejtuesit e klubit punojnë me një vullnet të madh dhe pa kompensim, gjithçka është punë vullnetare, tregon përgjegjësi i marketingut, Ardit Sadikaj. “Kemi 60 mijë euro buxhet vjetor për të mbuluar të gjitha shpenzimet e klubit. Vetëm për një paraqitje të ekipit të parë në lojën si vendas, ne paguajmë rreth 700 franga për treshen e gjyqtarëve“, sqaron Sadikaj. Gjysmën e buxhetit të klubit e mbulon kompania kreditore, “Ostfinanz“

300 lojtarë të pajisur me pasaporta të Federatës Futbollistike Zvicerane

Ilirët numërojnë 500 anëtarë, prej tyre 300 janë futbollistë të pajisur me kartela apo siç njihet në botën e futbollit, pasaporta të futbollistit. Ky klub ka në mesin e vet edhe anëtarë e futbollistë të nacionaliteteve të tjera, si zviceranë, italianë, kroatë. Fizioterapistja që kujdeset për këmbë të shëndosha të futbollistëve, është kroatja Maria Meier, tregon tiranasi Ardit Sadikaj, cili ka merita të mëdha për suksesin e këtij klubi.

Presidenti i klubit, z. Kuçi, na informon se në këtë klub futbollistik bëhet punë e madhe në integrimin e të rinjve, por edhe në ruajtjen e traditave tona. „Po të vini të shihni juniorët tanë të moshës 10 -11 vjeçare, ju mund të takoni deri në 15 fëmijë shqiptarë që flasin shqip, në stërvitje dhe në lojë. Kështu ne ruajmë dhe kultivojmë gjuhën tonë amtare“. Dhe jo vetëm, në ekipin e parë dhe të dytë Iliria ka një përzierje të kombësive, pra është një bashkëjetesë mes lojtarëve të nacionaliteteve të ndryshme që jetojnë në këtë vend.

Cila shoqatë tjetër shqiptare në Zvicër i ka 500 anëtarë?

Në anën tjetër, presidenti i klubit, shprehet i habitur si mediat kaq pak shkruajnë për klubet futbollistike. “Cila shoqatë në Zvicër i ka 500 anëtarë?“, pyet Kuçi. “Ma thuani një“ thotë ai duke shtuar se këtu ruhen vlerat kombëtare, këtu kultivohet gjuha tek të rinjtë tanë. Prandaj kërkojmë nga ju si albinfo.ch që të shkruani më shpesh për klubet shqiptare të futbollit në Zvicër.

Futbollistët e FC Ilirisë luajnë me ekipin e parë dhe të dytë, me ekipin e seniorëve dhe veteranëve dhe me të gjitha grupmoshat e të rinjve. FC Iliria ka po ashtu edhe ekipin e futbollit të vogël, Futsal, që garon në Ligën Nacionale A të Zvicrës.

Klubi i futbollit FC Iliria veprimtarinë sportive zyrtarisht e ka filluar në vitin 2002.

Por ka një histori më të gjatë në kampionatin e futbollistik të Solothurnit. Klubi Iliria kishte bërë kërkesë për t’u regjistruar për herë të parë në Federatën Kantonale të Futbollit Solothurn në vitin 1997, por Federata kishte refuzuar ta pranongte me arsyetimin se nuk ka fusha të mjaftueshme për stërvitje. Pavarësisht refuzimit, diaspora e madhe shqiptare kishte këmbëngulur për të pasur ekipin e vet në këtë regjion.

 

Rrugës së ndërmjetme

Të shtyrë nga kërkesat e mëdha, themeluesit e klubit kishin bërë një zgjidhje të përkohshme duke startuar përmes klubit “Olympia Gran”, të cilët nuk dëshironin të luanin me ekipin e tyre më në ligën e katërt. Falë kryesuesit të këtij klubi, D’Eemilio Umberto, ata kishin realizuar dëshirën e madhe për të pasur klubin e tyre në Solothurn. Nga ai moment e deri më sot klubi është rritur e ka fituar zemrat e shumë futbolldashësve shqiptarë të Solothurnit.

Presidenti i klubit, Hasan Kuçi bashkë me zëvendëspresidentin Petrit Nushin dhe anëtarë tjerë të kryesisë Rrahim dhe Naim Dakajn, Bekim Dermaku, Zef Nushi, Ardit Sadikaj dhe trajnerët e të gjitha ekipeve, kanë marrë primatin e klubit më të organizuar shqiptar kudo që luhet futboll. Kjo, falë mbështetjes së parezervë e besnike të Zef Dedës, Gjergj Laskit e Gjergj Pervorfit; Pjeter Karricaj, Gjon Shkorreti, Kristian Laski, Tom Karricaj, Benard Gjokaj, Engard Gjokaj, Ragip Podvorica, Besim Racipi, Benard Pervorfi, Estref Asani, Avdi Haljimi, Xhevdet Dullaj, Petrit Nushi, Ardit Sadikaj, Rrahim Dakaj, Xhelil Jerllija, Blerim Dakaj, Enes Ismaili, Skender Zenelaj e Valon Morina, të cilët po shkruajnë historinë më të ndritshme të ilirëve të Solothurnit.

Më shumë ekipe se shumë klube të mëdha zvicerane

Iliria ka të gjitha ekipet që mund t`i ketë një klub në kampionatet e futbollit zviceran dhe është aq mirë e organizuar, sa lë mbrapa shumë skuadra me tradita të mëdha në futbollin zviceran. Madje në mjaft kantone zvicerane nuk e gjen dot as edhe një skuadër që është kaq e kompletuar me të gjitha ekipet e grupmoshave të reja. Futbollistët e FC Ilirisë luajnë me ekipin e parë dhe të dytë, me ekipin e seniorëve dhe veteranëve dhe me të gjitha grupmoshat e të rinjve. FC Iliria ka po ashtu edhe ekipin e futbollit të vogël, Futsal, që garon në Ligën  Nacionale A të Zvicrës.

 

 


 Të tjera nga Futbolli Shqiptar në Zvicër