Sport

Federata ofron detaje tjera për mosekstradimin e Ballistit në Serbi

Një video dhe detajet e ofruara nga FSHF-ja pritet që të jenë pjesë e informatave që do të dërgojë Shqipëria për të bindur qeverinë kroate që të mos lejojë ekstradimin e Ballistit në Serbi

Federata Shqiptare e Futbollit i ka dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë një raport mbi vendimin e gjykatës sportive CAS, për ndeshjen e ndërprerë Serbi-Shqipëri të 14 tetorit 2014 në Beograd, në kuadër të përpjekjeve për të ndaluar ekstradimin e Ismail Morinës “Ballistit” nga Kroacia në Serbi.

Në vendimin e asaj kohe, kur Shqipëria fitoi tre pikë në tavolinë pas ndërprerjes së ndeshjes, CAS kishte përmendur koret raciste dhe dhunën fizike që tifozët ushtruan ndaj kuqezinjve. Një video dhe detajet e ofruara nga FSHF-ja pritet që të jenë pjesë e informatave që do të dërgojë Shqipëria për të bindur qeverinë kroate që të mos lejojë ekstradimin e Ballistit në Serbi, siç ka vendosur Gjykata e Dubrovnikut.

Sipas legjislacionit kroat, pavarësisht vendimeve të marra nga gjyqësori për çështje të tilla, që kanë të bëjnë me ekstradime ku ka pretendime për përndjekje raciste ose etnike, është qeveria kroate që thotë fjalën e fundit, raporton “Top-Channel”.