Lajme

Fëmijët e diasporës vizitojnë shtëpinë shkollë në Prishtinë

Fëmijët nga diaspora janë shoqëruar nga ish-nxënësi i kësaj shkolle, tani ministër i Diasporës, Valon Murati, i cili ka thënë se qëllimi është të mbajmë gjallë kujtesën për rezistencën tonë që e solli lirinë

Fëmijët nga diaspora të cilët po qëndrojnë në Kosovë kanë vizituar shkollën e Herticëve në Prishtinë, raporton albinfo.ch.

 

Ata kanë parë mundësinë që nga afër të shohin këtë objekt të rëndësishëm që shërbeu si shkollë shtëpi për gjeneratën e luftës.

 

Fëmijët nga diaspora janë shoqëruar nga ish-nxënësi i kësaj shkolle, tani ministër i Diasporës, Valon Murati, i cili ka thënë se qëllimi është të mbajmë gjallë kujtesën për rezistencën tonë që e solli lirinë.

 

“Me të rinj nga diaspora dhe Kosova vizituam shtëpinë-shkollë ku është mbajt mësimi i Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë. Ideja e të tilla vizitave është të mbajmë gjallë kujtesën për rezistencën tonë që e solli lirinë. Në këtë shtëpi brumoset përpjekja për ta mbajtur gjallë mësimin shqip dhe luftën e armatosur të UÇK-së. Familja Hertica ia ka dhuruar shtetit këtë objekt për ta shndërruar në muze. Fatkeqësisht ende as niveli qendror e as ai lokal ende nuk i ka kryer detyrat e veta. Të shpresojmë se projekti për shndërrimin e këtij objekti në muze të shkollave-shtëpi për Prishtinën dhe Kosovën megjithatë do të realizohet”, ka shkruar ministri në rrjetet sociale.