CH-Ballkani

Fëmijët janë viktima edhe në shkollë edhe në familje

Kosova nuk ka ligj për mbrojtjen e fëmijëve. Zyrtarë të Organizatave për Mbrojtjen e fëmijëve disa herë kanë thënë se ky ligj është më se i nevojshëm

 

Agjencia e Statistikave të Kosovës kishte kumtuar se, rreth 61 për qind e fëmijëve të anketuar deri në moshën 14 vjeç, kanë deklaruar se kishin pësuar nga dhuna psikike e ndëshkimi fizik nga anëtarët e ekonomisë familjare gjatë muajit të fundit. Kurse, sipas po këtyre statistikave, 59 për qind e fëmijëve kishin pësuar nga dhuna psikike, përderisa 24 për qind kishin pësuar nga ndëshkimi fizik, bën të ditur ‘Evropa e Lirë’, përcjell albinfo.ch.

Koalicionin për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, ka prezantuar këto të dhëna, që tregojnë shkallën e lartë të dhunës të ushtruar ndaj fëmijëve në Kosovë, me arsyen se modelet e disiplinimit shpeshherë orientohen drejt dhunës fizike dhe emocionale.

Gjatë vitit të kaluar, në Policinë e Kosovës janë raportuar 567 incidente të ndryshme që kanë ndodhur në shkolla ose në afërsi të objekteve të shkollave në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thonë se ekziston infrastruktura ligjore që ndalon përdorimin e dhunës fizike nëpër shkolla.

Kosova nuk ka ligj për mbrojtjen e fëmijëve. Zyrtarë të Organizatave për Mbrojtjen e fëmijëve disa herë kanë thënë se ky ligj është më se i nevojshëm. Ndërkaq, në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian, potencohet se Kosova ka legjislacion për mbrojtjen e fëmijëve, por zbatimi nuk është i mirë.