Shqipëria

Fëmijët refugjatë fillojnë shkollën në Serbi

Mijëra fëmijë në mesin e refugjatëve që kanë ngecur në Serbi në tentimin e tyre për të kaluar kah Hungaria tutje në BE, kanë filluar mësimin në shkollat lokale fillore që ishin përgatitur paraprakisht për t’i pranuar ata.

Një shkollë në Beograd, Jovan Ristiq, lëvdohet me atë çfarë drejtori i shkollës e përshkroi si nivel të jashtëzakonshëm të integrimit në pranimin e ndërsjellë mes serbëve dhe fëmijëve refugjatë, por edhe prindërve të tyre.

“Fëmijët janë pranuar jashtëzakonisht mirë. Ishim të shqetësuar se si prindërit e fëmijëve tanë do ta pranojnë faktin se këta refugjatë do të vijojnë mësimin këtu, por të gjithë janë të sjellshëm dhe kanë bërë tashmë shumë miq. Nuk kemi probleme”, deklaroi drejtori i shkollës, përcjell albinfo.ch.

Reuters raporton se jo të gjithë refugjatët megjithatë janë të mirëseardhur kudo.

Në Adasevci, qytezë e vogël afër kufirit me Kroacinë ku ndodhet një kamp refugjatësh, mijëra njerëz kanë protestuar kundër pranimit të fëmijëve në shkollat lokale e po ashtu nënshkruan një peticion me kërkesë që ata të largohen nga aty.