Gruaja

Femrat shqiptare ndërtojnë 5 shtëpi për 4 muaj përmes aktiviteteve në Facebook

Plotë 6610 franga dhe 1538 Euro janë mbledhur sot në eventin humanitar të shënuar gjatë mesditës në diskotekën „Bolero“ me gra të ardhura nga Gjermania, Suedi, Belgjika, Anglia. Madje kishte që kishin ardhur edhe nga Kanadaja e Kosova.

Ky është bilanci i i një aktiviteti të shkurtër human të Forumit të Femrave Shqiptare.  Ato janë shumë dhe vendi i përditshëm ku takohen e kontribuojnë, është bota virtuale.

Në Facebook është pikëtakimi i tyre i perditshëm. Ato kanë „odën“ e mbyllur për gra, nga ku dalin ide, propozime e merren vendime për hapat e metutjeshëm të aktiviteteve.

Njëri prej tyre është finalizuar sot në Zvicër dhe rezultati është mbreslënës. Plotë 6610 franga dhe 1538 Euro janë mbledhur në eventin e shënuar gjatë mesditës në diskotekën „Bolero“.

Forumi i Femrave Shqiptare ka një rrjet të gjerë që shtrihet pothuajse në çdo vend ku jetojnë shqiptaret. Vetëm sot në Zvicër kishin ardhur me dhjetëra gra shqiptare nga Zvicra e shtete tjera si Gjermania, Suedi, Belgjika, Anglia, madje kishte që kishin ardhur edhe nga Kanadaja dhe Kosova enkas për këtë event.

Gjithë ky aktivitet e humanizëm i rreth 15 mijë anëtarëve që mblidhen në „odën“ e tyre të Facebook-ut, ngjanë në një dashuri platonike që mbase vetëm ato dinë ta shpjegojnë.

„Në korrik e kemi nisur aktivitetin dhe sot kur jemi në fund të nëntorit në këtë event humanitar në Zvicër, kemi tri shtëpi të përfunduara dhe dy të tjera janë në ndërtim e sipër“, thotë administratorja e grupit, Mina, me banim në Suedi.

Megjithëse një gjë e këtillë tingëllon çuditshëm, ato ia kanë dalë të organizohen brenda një kohe rekorde, falë aktiviteteve dhe lidhjeve të mëparshme në rrjete e forume të ndryshme sociale.

“Forumi i Femrave Shqiptare ka ndërtuar shtëpi në komunat Gjilan, Fushë Kosovë, Podujevë, Lipjan dhe tani e fundit në Viti, për vetëm katër muaj aktivitet“, tregon administratorja Mina.

Në krye të femrave shqiptare janë gra të dëshmuara e me një sfondë të ngjeshur humaniteti. Kryesuesja e grupit që në mesin e fermave njihet si Mina, është administratore me banim në Suedi. Atje ajo ka regjistruar Forumin e Femrave Shqiptare si organizatë bamirëse që kujdeset për të pastrehët dhe rëstet e rënda sociale në Kosovë.

“Ne merremi kryesisht me raste të familjeve që kanë fëmijë të hendikepuar, gra të veja me fëmijë jetim, e pa kulm mbi kokë, janë prioriteti ynë”, na thotë, prishtinasja, Mina, e cila ka 30 vite që jeton në Suedi dhe që nga atje menaxhon aktivitetin human të femrave shqiptare.

Por ajo nuk është e vetme në punët administrative të organizimit të eventeve dhe aksioneve humanitare. Janë 11 gra që njihen në mesin e femrave shqiptare si admine, të cilat marrin iniciativa, mbështesin aksione me shuma konkrete dhe vizitojnë rastet e rënda sociale për të përzgjedhur familjet në nevojë.

Adiministratoret: Valbona Londër, Valbona Prishtinë, Afërdita Belgjikë, Mina Suedi

Valbona Lecaj, ishte poashtu njëra nga adminstratoret që kishte ardhur enkas nga Londra për eventin humanitar të organizuar në Zvicër.

“Pa mbështetjen e pronarit të diskotekës Bolero dhe këngëtarëve që sot kemi këtu, ne nuk do të arrinim të organizonim eventin humanitar, pasi që shpenzimet në këo raste janë të mëdha”, tregon Valbona, e cila vlerëson lartë gjestin human të këngëtarit Bekim Kumanova, Lule Bajra, Violeta Gashi, motrat Statovci, Bastri Ibishi dhe Ilaz Bakolli, të cilët në këtë event kanë kënduar falas.

Adminet:Valbona Londër/ Valbona Prishtinë

“Ne adminet çfarëdo që ndërmarrim, si vizita nëpër familje, shpenzime të rrugës, prezenca jonë këtu e gjithçka tjetër, e bëjmë me paret tona, me shpenzime tona. Mjetet e mbledhura për humanizëm nuk preken”, thotë për Albinfo.ch, prishtinasja me banim në Londër, Valbona Lecaj.