Diaspora dhe pavarësia: mes shpresave dhe iluzioneve

Festa e pavarësisë, mes valleve dhe tingujve të muzikës klasike

Sopranoja e njohur, Sanije Matoshi, erdhi enkas nga Kosova për të performuar të shtunën në një mbrëmje të organizuar për nëntëvjetorin e pavarësinë nga Qendra Kulturore e Kosovës në Cyrih.

Artistja kosovare, e përcjellë në piano nga Ermira Zyrakja, përballë publikut të cilët ishin mbledhur në restorantin “Salmen” në Shliren, ka hapur  të shtunën mbrëma  manifestimin për pavarësinë.

Krahas magjisë së elegjive dhe këngëve ritmike të sopranos Matoshi, nuk kanë munguar as vallet e grupeve artistike (Shota, Dardania dhe Rinia) që ishin në programin e sivjetëm.

Organizatorët ishin marrë vesh që në skenë në fillim të ngjiten valltarët e grupit “Rinia”, për t’i lënë hapësirë menjëherë Matoshit, që ishte pjesa më e veçantë e programit artistik të mbrëmjes.

Sopranoja kosovare performoi „live“ dhe u prit shumë mirë nga të pranishmit, por nuk munguan as fjalimet.

Në emër të përfaqësive diplomatike kosovare në Zvicër të pranishmit i ka përshëndetur konsulli i përgjithshëm, Ramadan Avdiu, i cili ka ndarë një mirënjohje posmortum për aktivistin Xhavit Hoxha. Edhe ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Ilir Gjoni, ka folur në këtë përvjetor të pavarësisë së Kosovës, sipas të cilit shteti më i ri në Evropë për këto nëntë vjet ka bërë hapa të shpejtë në procesin e shtetndërtimit, deri sa ka ndarë një mirënjohje postmortum për aktivistin Ibrahim Nikqi. Të njëjtin e ka bërë homologu shqiptar nga Ambasada e Maqedonisë në Bernë, i cili ka ndarë një mirënjohje për Muharrem Dinen.

Më pas vazhdon programi artistik, e atmosferë dasme shqiptare në skenë sjell SHKA “Dardania” nga Winterthuri.

Sido që të jetë, mbrëmjen këtë herë e ka moderuar aktori i njohur në diasporë, Ramadan Morina dhe Yllka Zuzaku ndërsa emocione të veçanta ka sjellë edhe vogëlushja Isra Abazi, me këngën Valsi i lumturisë.

Krejt në fund Isuf Rashiti bashkoi në skenë të gjitha grupet artistike me këngën e Kaçanikut, ndërsa nuk munguan as buqetat me lule në një manifestim që zgjati më shumë se dy orë.