Sport

FIFA e bart kërkesën kosovare te UEFA

Pas paralajmërimit se Federata Ndërkombëtare e Futbollit FIFA do të ketë Kosovën në rendin e ditës në mbledhjen e komitetit të saj ekzekutiv që do të mbahej në Tokio, albinfo.ch ka kontaktuar përgjegjësit për informim të kësaj organizate.

Ata në një përgjigje me shkrim kanë pohuar se tema e organizimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare nga kosovarët ka qenë në agjendën e mbledhjes në Tokio.

“Komiteti ka marrë informatën se kërkesa e Federatës së Futbollit të Kosovës për organizimin e ndeshjeve futbollistike ndërkombëtare do të shqyrtohet sërish nga komiteti Ekzekutiv i UEFA-s (Federata Evropiane e Futbollit).

Federata Kosovare e Futbollit i pati bërë një kërkesë zyrtare FIFA-s për të fituar të drejtën e organizimit dhe pjesëmarrjes në ndeshjet ndërkombëtare miqësore.

Marrjen e kërkesës që i ishte drejtuar presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, e kishte konfirmuar publikisht ky i fundit dhe qe zotuar se atë do ta vinte në rend të ditës të mbledhjes së komitetit ekzekutiv të FIFA-s që pritej të mbahej më 16 dhe 17 dhjetor në Tokio.

Mbledhja e ardhshme e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s do të mbahet më 29 dhe 30 mars 2012 në Cyrih.