Maqedonia

Fillon debati për ligjin e gjuhëve, VMRO-DPMNE kundër

Në Kuvendin e Maqedonisë  ka nisur debati për ligjin e ri për gjuhët. Me këtë ligj parashihet që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj të jetë edhe gjuha shqipe.  

Por ashtu siç pritej VMRO-DPMNE kërkon të tërhiqet propozim-ligji për gjuhën shqipe dhe të kalojë në debat publik. Sipas deputetëve të kësaj partie është shkelur kushtetuta dhe flamuri evropian. VMRO-DPMNE thotë se dygjuhësia nuk është kërkuar si kusht i BE-së për hapjen e negociatave me Maqedoninë. Por kërkesa e tyre nuk mori përkrahjen e deputetëve të shumicës.

Xhevat Ademi tha se këtë propozim ligj që sot deputetët e VMRO-së e kundërshtojnë, e kishin pranuar para formimit te qeverisë. Ndërsa Zëvendës kryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani përmes një komunikate për media ka thënë se implementimi i marrëveshjes Kornizë është i lidhur ngushtë me procesin e integrimit të vendit. Ai ka ritheksuar se propozimi i ligjit për shfrytëzimin gjuhëve është pjesë e marrëveshjes kornizë.