Bota

Fillon ofensiva ajrore e perëndimit mbi Sirinë

Në mbështetje të SHBA-ve janë rreshtuar edhe Britania e Madhe me Francën, të cilat po marrin pjesë në këtë ofensivë, ndërsa Theresa May e konfirmoi edhe zyrtarisht praninë e flotës britanike në sulmin ndaj Sirisë

Rreth orës 21 sipas kohës lokale të SHBA-së, gjegjësisht pas orës 3 të mëngjesit sips kohës evropiane kanë nisur sulmet ajrore amerikane mbi caqet siriane, të dyshuara për përdorim të armëve kimike.

Në mbështetje të SHBA-ve janë rreshtuar edhe Britania e Madhe me Francën, të cilat po marrin pjesë në këtë ofensivë, ndërsa Theresa May e konfirmoi edhe zyrtarisht praninë e flotës britanike në sulmin ndaj Sirisë, shkruan topchanel. duke iu referuar mediave ndërkombëtare.

Vetë presidenti Trump lajmëroi se ka urdhëruar një sulm ajror me goditje precize, për të mos dëmtuar qytetarët sirianë.

“Një operacion i kombinuar me forcat e armatosura të Francës dhe Britanisë së Madhe, është duke u zhvilluar tani”, deklaroi presidenti Trump para pak minutash.

Objektivi i raketave të aleatëve për momentin janë vetëm bazat ku dyshohet se regjimi i Assadit ruan armët kimike, ndërsa raportohet se shpërthimet janë ndjerë edhe pranë Damaskut.

Ky sulm vjen vetëm disa ditë pasi SHBA-të akuzuan Sirinë për përdorim të armëve kimike në qytetin e Doumës, ndërsa ende pritet me interes reagimi i Rusisë, që kërcënoi me luftë, nëse sulmohet Siria.