Lifestyle

Fillon “Oktoberfest”, festa më e madhe e birrës në botë

Për shkak të sulmeve të shpeshtuara terroriste, janë marrë masa të shtuara sigurie. Vizitorët e festës nuk lejohen të kenë me vete çanta të mëdha shpine

Me thirrjen rituale “Ozapft is!” që shoqëron shpuarjen e vrimës në fuçinë e parë të birrës nga kryebashkiaku i Munihut, Dieter Reiter, është hapur sot festivali i birrës “Oktoberfest” në Munih. Ndërsa kryeministri i landit të Bavarisë, Horst Seehofer, sipas traditës, ka provuar gotën e parë të kësaj birre festive, shkruan srf.ch.

Fjala është për edicionin e 184-të të kësaj feste popullore, ndër më të mëdhatë në botë.

Për shkak të sulmeve të shpeshtuara terroriste kohëve të fundit, edhe këtë vit janë marrë masa të shtuara sigurie, transmeton albinfo.ch. Kështu, vizitorët e festës nuk lejohen të kenë me vete çanta të mëdha shpine.

Janë më shumë se 650 njerëz të rendit, të cilët do të kontrollojnë masën në hyrjet në zonën e festës, numër ky që është për 200 më i madh se ai në vitin e kaluar.

Festën e birrës në vitin 2016 e kanë vizituar 5.6 milionë veta ndërsa janë pirë rreth 6 milionë litra birrë.