Shqipëria

Fillon viti i ri shkollor në Shqipëri

Rreth 33 mijë fëmijë do të përjetojnë emocionet e uljes për herë të parë në bankat e shkollës

Sot, më 11 shtator ka nisur viti i ri shkollor në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar në Shqipëri, shkruan albinfo.ch.

Mbi 495 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë nisin vitin shkollor 2017-2018. Nga ky numër, rreth 33 mijë fëmijë do të përjetojnë emocionet e uljes për herë të parë në bankat e shkollës.

Ky vit shkollor, mbyllet më 7 qershor të vitit 2018 për 9-vjeçarët dhe një javë më vonë për ata në arsimin e mesëm.

Muaji qershor është vënë në dispozicion për provimet e fundit të nxënësve që mbyllin arsimin bazë dhe ata të maturës shtetërore. Mini-maturantët do të testohen në intervalin midis 11 dhe 30 qershorit, ndërsa për maturantët provimet nisin më herët e zgjasin deri në fund të muajit qershor.

Për shkak të provimeve, maturantët do të mbyllin ciklin mësimor një javë përpara të tjerëve, më 31 maj, ndërsa një ditë më vonë hyjnë në periudhën e provimeve.