Kultura

Filmi “Home” synon Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit

Ky është një sukses tjetër për këtë film, që bëhet produksioni i parë kosovar që arriti të nominohet në këtë akademi. Skenarin dhe regjinë e ka bërë Daniel Mulloy

Filimi ‘Home’ është nominuar për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit, në kategorinë e filmave të shkurtër. Ky film është bashkëpunim mes Kosovës e Britanisë së Madhe dhe për njëzet minuta rrëfen historinë e familjes së Jack O’Connell dhe Holly Grainger, raporton albinfo.ch.

Ky është një sukses tjetër për këtë film, që bëhet produksioni i parë kosovar që arriti të nominohet në këtë akademi. Skenarin dhe regjinë e ka bërë Daniel Mulloy.

Ceremonia e edicionit të 29-të të EFA do të mbahet më 10 dhjetor në Wroclaw të Polonisë, ndërsa të pranishëm do të jenë producentja ekzekutive e filmit Arta Dobroshi, producenti Afolabi Kuti dhe regjisori Daniel Mulloy.

Filmi “Home” ka për temë “udhëtimin” e një familje britanike dhe tregon se sa lehtë mund të shembët siguria që mendojmë se e kemi ndërtuar rreth vetës, dhe bashkë me atë, koncepti i asaj që quajmë “shtëpi”.

Xhirimet e këtij filmi janë bërë në Janjevë dhe në Graçanicë. Inspirimi për këtë film ka lindur gjatë edicionit të fundit të Festivalit DokuFest, ku është trajtuar tema e migrimit.

Me rolet kryesore paraqitën aktorët Jack O’Connell, fitues i çmimit BAFTA dhe Holliday Grainger, e njohur për rolin në filmin “Great Expectations”, kurse në rolet e tjera aktorët shqiptarë Zaki Ramadani, Andi Bajgora, Edison Dabiqaj, Adriana Matoshi, Armend Ismajli e Rifat Smani. Producent kosovar i filmit është Shpat Deda.