Kultura

Filmi kosovar “Agnus Dei” fiton çmimin e 100-të me radhë

Duke qenë pjesë e më shumë se 210 festivaleve ndërkombëtare dhe duke fituar 100 çmime kinematografike, ka arritur të jetë filmi më i shpërblyer në gjithë kinematografinë e Ballkanit

Filmi kosovar ‘Agnus Dei’, me skenar dhe regji të Agim Sopit, është shpallur si Filmi më i mirë i metrazhit të gjatë në festivalin “El Festival de Largos y Cortos de Santiago, Santiago de Chile”,  i cili ka përfunduar të martën me mbrëmjen solemne të ndarjes së çmimeve në Kili.

Filmi kosovar ‘Agnus Dei’ ka fituar edhe Çmimin e Fotografisë më të mirë, i cili shkon për drejtorin e fotografisë,  Menduh Nushi. Festivali pesëditor, i cili ka bërë emër në Santiago de Chile, ka arritur të tubojë më shumë se 10.000 shikues dhe më shumë se 200 kineastë të ftuar nga rajoni e bota.

Në mungesë të autorëve nga Kosova, në emër të Komitetit Artistik të Festivalit, çmimet për filmin kosovar i ka pranuar Maryoris Acosta Perez.

Vlen të përmendet se në mesin e emrave të njohur të kineastve kileanë, pjesë e Komitetit Artistik të Festivalit Santiago de Chile, është edhe regjisori Sebastian Lelio, fitues i Çmimit Oskar për filmin më të mire të huaj këtë vit.

Filmi Agnus Dei trajton dramën e përsëritshmërisë së fatit dhe i cili ambientohet në luftën e Kosovës, duke qenë pjesë e më shumë se 210 festivaleve ndërkombëtare dhe duke fituar 100 çmime kinematografike, ka arritur të jetë filmi më i shpërblyer në gjithë kinematografinë e Ballkanit.