Kultura

Filmi “Kthimi”, premierë në Cineplexx të Maqedonisë

Filmi 'Kthimi' është koproduksion mes Maqedonisë dhe Kosovës dhe prodhim i 'Dardania Film' e 'Shkupi Film', i mbështetur nga Agjencia e Filmit në Maqedoni dhe Qendra Kinematografike e Kosovës

Filmi ‘Kthimi’, i Kastriot Abdylit, do të ketë premierën nesër në kinemanë Cineplexx të Shkupit dhe nga 19 prilli vazhdon shfaqjen në repertor të rregullt. 

Ky film flet për kontradiktat e kulturës shqiptare dhe asaj euro-perëndimore si rrjedhojë e globalizimit dhe dyndjes njerëzore. Ngjarja zhvillohet në një fshat shqiptar, ku si pasojë e gjendjes socio-ekonomike çdo i ri ka ëndërr migrimin në Perëndim.

Edhe personazhi kryesor, Iliri, që luhet nga aktori Hazir Sh. Haziri, ndjek atë ëndërr dhe emigron në Francë me një vizë false, ku më pas martohet me një franceze, Sabinen, që e luan rolin aktorja Delphin Depardieu. Për shkak të çështjeve ligjore, Iliri bashkë me Sabinen vijnë në fshat.

Filmi ‘Kthimi’ është koproduksion mes Maqedonisë dhe Kosovës dhe prodhim i ‘Dardania Film’ e ‘Shkupi Film’, i mbështetur nga Agjencia e Filmit në Maqedoni dhe Qendra Kinematografike e Kosovës.