Kultura

Filmi për refugjatin e vogël nga Kosova fiton çmimin “Grimme”

Ky film bën fjalë për jetën e Lutviut 12 vjeçar, refugjat nga Kosova i cili jeton me familjen në Dortmund. Autorët e filmit, Jürgen Brügger dhe Jörg Haassengier rrëfejnë për frikën që ka Lutviu nga dëbimi në Kosovë

Televizioni i njohur gjerman WDR ka fituar çmimin ”Grimme” të kategorisë për fëmijë dhe të rinj me filmin “Nordstadtkinder-Lutwi”.

Ky film bën fjalë për jetën e Lutviut 12 vjeçar, refugjat nga Kosova i cili jeton me familjen në Dortmund. Autorët e filmit,  Jürgen Brügger dhe Jörg Haassengier rrëfejnë për frikën që ka Lutviu nga dëbimi në Kosovë, shkruan wdr.de. Shikuesi e përjeton përditshmërinë e vogëlushit, që sillet në mes të një barre enorme për moshën e tij dhe lehtësisë me të cilën e marrin jetën fëmijët.

E gjithë kjo, e projektuar në mënyrë konsekuente nga perspektiva e djaloshit.

Sipas jurisë, “kjo perlë e serisë së WDR-së dallon nga shumica e dokumentarëve me përpjekjen për të na sjellë më afër biografitë e refugjatëve të rinj”, transmeton albinfo.ch.

Filmi është pjesë e projektit intermedial “Nordstadtkinder”, i cili përbëhet nga 10 filma dokumentarë që bëjnë fjalë për jetën e të rinjve nga Nordstadt-i i Dortmundit.