Lajme

Filmi shqiptar fiton çmimin e publikut të Gjenevës

© “Amnistia” është filmi i parë me metrazh të gjatë i Bujar Alimanit

Festivali kinematografik i Gjenevës «Black movie» ftoi publikun e saj për të përcjellë dhjetë ditë me radhë një sërë filmash, me ç’rast takimi në mes të krijuesit dhe publikut u shndërrua në një çast të veçantë, nga i cili varej edhe e ardhmja e filmit.

Kështu që artdashësit gëzuan mundësinë të shohin 52 filma të seleksionuar ekskluzivisht nga njohësit e pasionuar. Me një fije humori, festivali kishte zhvilluar aktivitetin e saj nën çatinë e profecisë, e cila parashikon se 2012-ta do të jetë viti i kolapsit përfundimtar.

Këtë vit festivali u dallua nga të tjerët, duke paraqitur filmin “Amnistia” të realizuar nga Bujar Alimani, i cili u kurorëzua me çmimin e publikut.

Albinfo.ch përcolli shfaqjen me plot kureshtje, duke pasur parasysh se kinemaja shqiptare ka filluar të kapë vëmendjen e mediave perëndimore vetëm në fillim të viteve 2000 falë Gjergj Xhuvanit me filmin e tij “Parrullat” dhe Fatmir Koçit me “Tirana, viti zero”.

Tash mund të themi se edhe filmi “Amnistia” arriti t’i kalojë kufijtë, duke shënuar një sukses të rëndësishëm në Berlinale, ose duke korrur një varg çmimesh, sikur çmimi special i jurisë “Fipresci” dhe çmimi “Cineuropa” i festivalit të 12-të në Lecce dhe, më në fund, duke marrë Çmimin i Publikut në Gjenevë.

bij12
© albinfo.ch: Bujar Alimani

Por, për çfarë bëhet fjalë në këtë film?

Në fletushkë mund të lexojmë se është fjala për një burrë dhe një grua që takohen rastësisht jashtë dyerve të burgut. Ai ka bashkëshorten të burgosur, kurse ajo ka bashkëshortin, me të cilët zhvillojnë takime intime një herë në muaj, sipas rregullave të burgut. Mes dy bashkëshortëve që presin jashtë dyerve të burgut lind një histori dashurie, e cila pashmangshmërisht përfundon tragjikisht, pasi që bashkëshortët kryejnë dënimin dhe dalin nga burgu falë një amnistie të lëshuar nga shteti.

Përveç tematikës mjaft tërheqëse dhe tmerrësisht reale, spektatori del paksa i tronditur nga filmi. Aty për aty patjetër i duhen disa çaste për t’u përqendruar para se të japë vlerësimin e tij. Historia e Elsës dhe Shpetimit prek një serë temash që ndoshta spektatori shqiptar nuk është i gatshëm për t’i parë. Flitet për dashurinë ose mosdashurinë, seksualitetin e pakënaqshëm dhe mekanik në mes të një çifti, për vendin e gruas dhe të drejtës së saj për dashuri, për mbrojtjen e moralit, për traditat tronditëse, për burgun e tejdukshëm të gruas, për përplasjet që kanosin rehatinë vdekjeprurëse të përditshmërisë. Por, gjithashtu, në mënyrë indirekte zhvillohen edhe temat sociale, siç është brutaliteti i përhapjes së kapitalizmit, papunësia, shpresat që duken të mundshme vetëm andej detit. Prandaj, me një vetëdije të plotë, regjisori nuk dukej i habitur nga reagimi i publikut, i cili mbeti i heshtur për disa minuta. Bile, ai nuk mungoi të na pyeste nëse ndjeheshim mirë.

Në të vërtetë, disa realitete të shoqërisë shqiptare të lënë pa tekst, sa që spektatori ndihej edhe pak i hidhëruar kundër Bujar Alimanit. Por, për fat të mirë, me t’iu shmangur nacionalitetit, pakënaqësia zhduket për t’i lënë vend debatit. Ndërsa, pjesa tjetër e publikut, ajo joshqiptare, po ashtu e tronditur, arriti të fundosë heshtjen duke pyetur regjisorin mos, vallë, ky përfundim është i ekzagjeruar dhe ushqen paragjykimet kundër Shqipërisë. “Unë nuk punoj për një degë turizmi, dhe detyra ime është të trajtoj një dukuri të shoqërisë sonë, edhe pse është e hidhur dhe e pranishme vetëm në një pjesë të kësaj shoqërie”, u përgjigj Bujar Alimani. Sipas regjisorit, Elsa dhe Shpetimi janë dy profile që pasqyrojnë një përditshmëri të një pjese të popullatës së Shqipërisë. Ata, thekson ai, ballafaqohen me një Shqipëri në tranzicion, që ndodhet në udhëkryq “pikërisht aty ku bashkohen e vjetra me të renë”.

luli
© Luli Bitri në rolin e Elsës

Çdo gjë duket e ndryshkur dhe e shkatërruar

Ky film është një portret i Shqipërisë të shqyer mes dëshirës për të ecur me kohën dhe traditat që të lidhin me të kaluarën. Ngjarja zhvillohet në një qytet të Tiranës, me pamje të zymta, aty çdo gjë duket e ndryshkur dhe e shkatërruar, hapësirat e zbehta dhe të pajetë lodhin syrin e protagonistëve, por edhe të spektatorit. Elsa (Luli Bitri) e papunë jeton me dy fëmijët dhe vjehrrin e saj (Todi Llupi) të  zotin e shtëpisë. Shpetimi (Karafil Shena) punon në një fabrikë ngjyrash, ku çdo ditë shkrihet në monotoninë e pafund. Tensioni i zhvillohet në heshtje, protagonistët shprehin ankthin e tyre me vetë prezencën dhe forcën e lojës së aktrimit të tyre, fjala dhe muzika duken të tepërta. Luli Bitri (Elsa), me tërë talentin e saj, i jep trup dhe shpirt personazhit të saj tragjik, duke e zhveshur atë nga stereotipat e zakonshëm të femrës, ajo kristalizon realitetin dhe fatin e vështirë të një gruaje në Shqipëri.

Duhet theksuar se regjisori me shumë talent krijon një atmosferë të paparë në filmografinë shqiptare. I lidhur ngushtë me realizmin e personazheve, ai tregon këndin e secilit pa mbështetur apo kuptuar njërin më shumë se tjetrin. Kështu që, spektatorit, edhe pse i ndahet fryma në fund, ai nuk zhytet në asnjë moment në patos, por vetëdijesohet se sa shpejt qetësia e tmerrshme në Shqipëri mund të zbërthehet nga të shtënat e moralit stërgjyshor.

Bujar Alimani jeton dhe punon në Greqi dhe tregon se filmi “Amnistia” ka kushtuar rreth 700 mijë euro dhe është realizuar falë mbështetjes së Qendrës Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, Greqisë dhe Euroimages. Njëherë për njëherë, shpërndarja është parashikuar të fillojë në Francë, e më pas në Greqi dhe në Shqipëri.

I pyetur se si është pritur filmi nga opinioni shqiptar, ai tregon se filmi ka pasur mjaft sukses, edhe pse ka provokuar shumë debate, gjë që bën të mendojë regjisorin se ia ka arritur qëllimit. Vetmia e gruas, e cila është në pritje të burrit, është një temë tabu në shoqërinë tonë. Ajo bëhet shtylla e mbrojtjes së moralit dhe çdo lëvizje jashtë rregullave tradicionale kanos rëndë, na lenë të kuptojmë regjisori.