Integrimi

Fitorja e Ramës, rekord në Shqipërinë postkomuniste: Basha nuk jep dorëheqje

“Mos qoftë e thënë që konkurrentët tanë t’i shohim si armiq dhe t’i trajtojmë si të tillë. Ne nuk fituam një kampionat, por morëm një detyrë shumë të vështirë”, tha lideri i socialistëve Edi Rama pas fitores së partisë së tij në këto zgjedhje

Fitoja e Partisë Socialiste në zgjedhjet e të dielës në Shqipëri, ka befasuar gjithë komunitetin shqiptar në Ballkan, pasi që për të parën herë pas 25 viteve të pluralizmit, një parti mund ta formojë qeverinë e vetëm, pa koalicione. Kryeministri Edi Rama kësaj here ka fituar 74 mandate, nga 140 sa ka Kuvendi i Shqipërisë.

Por, kjo humbje ka shqetësuar partinë rivale, Partinë Demokratike e cila gjendet në “udhëkryq”, pasi që Lulzim Basha humbi dukshëm në nivel vendi, duke siguruar vetëm 44 vende në Kuvend, ose 7 më pak se që kishte në zgjedhjet e kaluara. Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës, nuk mori votat e synuara, duke mbetur me 18 ulëse.

Në këto zgjedhje, partia Çame fitoi tre deputetë dhe një Partia Socialdemokratike. Kurse pa asnjë votë mbeti Lëvizja Libra e Ben Blushit.

Pas shpalljes së fitores, Partia Socialiste zhvilloi një tubim festiv në sheshin “Skënderbej. Edi Rama mbajti një fjalim të gjata duke thënë se Shqipëria ka folur troç dhe “shqiptarët kanë vendosur me një votë qartësisht kuq e zi”.  Ai tha se populli zgjodhi Partinë Socialiste për të qeverisur e vetme vendin. Rama tha se fitorja është e Shqipërisë.

“Ata kanë zgjedhur të ardhmen dhe na kanë thënë të gjithëve se Shqipëria që duam është mbi të majtën dhe mbi të djathtën, misioni i të zgjedhurve është puna për Shqipërinë dhe jo puna e kacafytjeve dhe interesave për pushtetarët. Populli zgjodhi PS-në për ta udhëhequr vendin si fuqi e vetme qeverisëse dhe duke e pranuar me emocion dhe përulësi këtë zgjedhje, ne do të qeverisim me forcën e shembullit për të gjithë dhe jo me shembullin e forcës për të tjerët”, tha ai.

Sipas Ramës, sfidat janë shqiptare, jo socialiste dhe demokrate, të vjetra dhe të reja…

“U them të gjithëve që fitorja është e Shqipërisë dhe merita është e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi…Shqiptarët nuk zgjodhën për Shqipërinë që kemi, por për atë që duam. Ata duan të provojnë se sa të mirë mund të jemi ne nëse e kemi timonin të vetëm”, u shpreh Rama, sipas të cilit, “nga sot prioritet do të jetë reflektimi mbi gabimet e bëra deri tani”.

“Mos qoftë e thënë që konkurrentët tanë t’i shohim si armiq dhe t’i trajtojmë si të tillë. Ne nuk fituam një kampionat, por morëm një detyrë shumë të vështirë. 4 vitet nuk duhet të jenë një tjetër lojë se kush e ka fajin, por një përpjekje shqiptare për çfarë duhet bërë, për ta bërë Shqipërinë më të mirë”, tha ai.

Fushata, sipas tij, ka mbaruar. Tani, siç tha ai, është koha për të vënë veten në shërbim të tyre, përpara interesave personale dhe shqiptarët pa dallim, përpara dallimeve politike, “është koha për të vënë flamurin përbashkues kuqezi përpara flamujve të partive politike”.

“Është koha të gjejmë forcën të punojmë së bashku. E ardhmja që duam nuk vjen, por arrihet dhe sa më shumë të bashkëpunojmë”, tha ai.

Rama foli edhe për marrëveshjen parazgjedhore të arritur me Bashën, madje për të pati edhe falënderim.

“Dua ta kem marrëveshjen e 18 majit një busull orientuese. Dua ta falënderoj sot Lulzim Bashën pasi më 18 maj vuri Shqipërinë të parën dhe siç e shohim tani marrëveshja është ajo që është dhe jo si cinikët e kazanit donin t’i bënin shqiptarët të besonin ashtu si shpreheshin ata”, tha Rama, duke premtuar po ashtu se sivjet, para fillimit të dimrit do të fillojë rruga e “Arbrit” nëpër Dibër.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha edhe pse ka humbur zgjedhjet, do të vazhdojë të jetë kryetar i Partisë Demokratike, por me funksione të ngrira, duke i hapur rrugë një gare të ndershme, sipas tij, për kryetarin e PD-së.

“Marr të gjitha përgjegjësitë për rezultatin. Demokratët meritojnë një bilanc të plotë dhe ballafaqim të hapur e të vërtetë. Sa kam gabuar dhe ku kam gabuar, nuk e përcaktoj unë, as ata që nuk punuan për fitoren e PD-së. Këtë e përcaktojnë demokratët. Unë ngrij të gjitha funksionet e mia organizative si kryetar dhe ia kaloj dy nënkryetarëve të partisë”, tha ai.

Sipas Bashhës, do të ketë garë për kryetar sipas parimit “një anëtar, një votë”.

“Unë kam projekt dhe projektin tim e vlerësojnë demokratët. Unë mbaj përgjegjësi jo duke ikur, por duke luftuar deri në fund me ta e për ta”, tha Basha në reagimin e parë pas humbjes së zgjedhjeve të partisë së tij.