Shqipëria

Fleckenstein: Hapja e negociatave për Shqipërinë, në qershor 2018

Reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Fleckenstein, pranoi se Shqipëria i ka bërë detyrat e caktuara nga Brukseli dhe meriton hapjen e negociatave për anëtarësim, qershorin e ardhshëm

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein konfirmoi në Tiranë se PE do të vazhdojë të inkurajojë Këshillin Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Sipas raportuesit, nuk ka kushte shtesë për hapjen e këtyre negociatave, përveç 5 prioriteteve tashmë të përcaktuara.

Në përfundim të vizitës dyditore në Tiranë, reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Fleckenstein, pranoi se Shqipëria i ka bërë detyrat e caktuara nga Brukseli dhe meriton hapjen e negociatave për anëtarësim, qershorin e ardhshëm.

Ai pohoi se nuk ishte në dijeni të kushteve të tjera shtesë ndaj Tiranës zyrtare, duke e cilësuar të padrejtë nëse do të ndodhte një gjë e tillë.

Ai mohoi të kishte një kërkesë konkrete nga Brukseli në drejtim të Shqipërisë për të përmirësuar marrëdhëniet me Greqinë, duke shpjeguar se një gjë e tillë vlen për të gjithë fqinjët dhe nuk është asnjëherë vetëm për njërën palë.

I pyetur mbi luftën ndaj kanabisit, reporteri për Shqipërinë tha se përveç vullnetit të mirë, duhen masa për të pasur një situatë më të mirë në të ardhmen.