Kultura

Folklori shqiptar shkrihet me vallëzimin modern në “Volxtanz”

Ajo që shohim është një konglomerat lëvizjesh. Muzika afrikane kryqëzohet me atë aziatike, ritmet nga Ballkani me hip-hopin...

Çfarë ka të përbashkët vallja popullore me breadance? Në shikim të parë, vërtet asgjë. Por mjeshtria është pikërisht në ludhjen që u ka bërë këtyre dy formave të vallëzimit, koreografi nga Berlini Raphael Hillebrand në projektin e tij “Volxtanz”, që ka filluar të shfaqet më 10 qershor dhe do të ketë disa repriza në ditët në vijim.

Krahas Hillebrand-it, që është edhe vetë vallëzues, në këtë aventurë merr pjesë edhe valltari profesionist i hip-hopit, shqiptari nga Gjermania,Adnan Dushaku, 23 vallëzues të rinj dhe grupi i vallëzimit i shoqërisë kulturore “Skënderbeu” të Freiburgut.

Por, ata që presin vallzime klasike folklorike do të zhgënjehen. Shfaqja që shohim është më shumë një konglomerat lëvizjesh dhe tingujsh. Muzika afrikane kryqëzohet me atë aziatike, ritmet nga Ballkani me hip-hopin, variacione të ndryshme të lëvizjes së këmbëve dhe të duarve zëvendësojnë njëra tjetrën. E gjitha tregon një pasuri dhe shumëllojshmëri të asaj që quhet “gjuhë e trupit”, që dallon nga kultura në kulturë.

Ndërsa një kontrast të skajshëm me lëvizjet skenike të prezantuara deri atëherë përbënte në këtë shfaqje paraqitja e grupit shqiptar të vallëzimit. Valle gazmore me valltarë që kanë bërë një rreth me kostume kuq-bardh-zi dhe me shamia. Edhe këtu shohim një bukuri lëvizjesh por shumë më të zbutur dhe në dukje, të normuar.

Dikush në publik thërret kundër vallëzimit folklorik e dikush tjetër në të mirë të tij. Mbetet e paqartë cilët e përbëjnë shumicën, por ajo që mbetet është kënaqësia që gjatë 70 minutave ofruan valltarët nga më të ndryshmit, që u ngjitën në skenën e teatrit të Freiburgut, shkruan veç tjerash gazeta “Badischer Zeitung”.

Shfaqjet në vijim: 15, 18 dhe 20 qershor si dhe më 3 korrik, me fillim në orën 20. Kleines Haus, Theater Freiburg. 0761/4968888.