Tematike

Fondacioni mbështetës sugjeron anulimin e koncertit të reperëve problematikë

Me këtë rast fondacioni, i vetëdishëm se anulimi i koncertit në fjalë do të shkaktojë një deficit që do të rrezikojë edhe vetë ekzistencën e shoqatës, i ka ofruar asaj mbështetje materiale

Pas negociatave intensive të zhvilluara gjatë dy ditëve të fundit, fondacioni NHTLZ që ka bërë kontraktimin e qirasë me sallën “BBC-Arena” i ka sugjeruar shoqatës kulturore shqiptare “Alba” që të anulojë koncertin e dy reperëve të kontestuar si antisemitë, nga Gjermania.

Kështu shkruan gazeta “Schaffhauser Nachrichten” duke iu referuar fondacionit të përmendur, sipas së cilit, gjasat janë të mira që koncerti të anulohet.

NHTLZ pra edhe në cilësinë e financuesit e bën këtë sugjerim, duke kërkuar që vetë festivali “Albanian Festival” në Schaffhausen të mbahet, si një kontribut me vlerë për integrim dhe këmbim ndërkulturor, transmeton albinfo.ch.

Me këtë rast fondacioni, i vetëdishëm se anulimi i koncertit në fjalë do të shkaktojë një deficit që do të rrezikojë edhe vetë ekzistencën e shoqatës, i ka ofruar asaj mbështetje materiale. E kjo do të ishte: në rast të anulimit të koncertit në fjalë,  NHTLZ mbulon pagesën e qirasë në “BBC Arena” për “Albanian Festival 2018”.

Siç ka shkruar albinfo.ch, Ambasada e Shqipërisë në Bernë, ashtu si dhe ajo e Kosovës, krerë të komunitetit shqiptar të këtushëm si dhe të bashkësive fetare shqiptare në Zvicër, kanë dënuar vendimin për pjesëmarrje të dy reperëve të përmendur, në përgjithësi. Por në veçanti ata kanë kundërshtuar që ata të marrin pjesë në një festival që mban emrin “Festivali shqiptar” (Albanian Festival).

Reperët “Kollegah” dhe “Farid Bang ”, me një këngë të tyre kanë vënë në lojë në mënyrë të vrazhdë viktimat e holokaustit. Konkretisht në këngën “0815” të albumit të tyre, reperët flasin për trupat e tyre se janë “më të definuar se ata të të burgosurve në Aushvic”, ndërsa në një tekst tjetër këndojnë, “unë po bëj një holokaust tjetër me molotov” e të ngjashme.

Dy të përmendurit kanë marrë pak ditë më parë çmimin kryesor që jepet në Gjermani për muzikë të popullarizuar “Echo”. Dhe pikërisht ky çmim është kontestuar me të madhe ndër muzicientët dhe mediat në Gjermani e më gjerë. Kontestimi ka shkuar aq larg sa që disa nga fituesit në kategoritë tjera, në shenjë proteste, e kanë refuzuar çmimin në fjalë