Lajme

Forca e Diasporës kërkon zgjidhje politike në Kosovë

Forca e Diasporës për Atdheun iu bën apel të gjitha subjektet politike që t’i lënë anash interesat individuale e klanore dhe gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e krizës në Kosovë

Një grup bashkatdhetarësh që përfaqësojnë Forcën e Diasporës për Atdheun (FDA) i bëjnë apel të gjitha subjektet politike në Kosovë, që t’i lënë anash interesat individuale e klanore dhe gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e krizës politike në Kosovë. FDA kërkon dialog brenda spektrit politik kosovar.

“Është i pa pranueshëm fakti se po bëhen dy vite të bllokadave inatçore të cilat nuk sollën asnjë dobi për vendin përkundrazi, stagnim e kthim mbrapa. Përderisa klane të caktuara politike kalkulojnë për interesat e pushtetit qytetarët e vendit vazhdojnë të thellohen në varfëri”, thuhet në reagimin e FDA-së.

Të gjitha subjektet politike, pa përjashtim, sipas tyre, kanë harruar misionit për të cilin janë të thirrura, duke u vënë në shërbim të agjendave “pushtetmbajtëse respektivisht pushtetmarrje duke mos zgjedhur as mjete qoftë edhe ato të kundërligjshme”.

“Mirëqenia e qytetarëve duhet të kthehet urgjentisht në agjendat e politikës kosovare. Në këtë kontekst kërkohet seriozitet dhe bashkëpunim i të gjithë akterëve, duke kërkuar zgjidhje politike në mënyrë të civilizuar dhe demokratike. Njëherësh u bëjmë thirrje për konsensus dhe bashkëpunim të plotë, kur janë në pyetje temat me interes nacional”, konsideron FDA.

Po ashtu Forca e Diasporës kërkon që të krijohen grupe serioze ekspertesh “të cilat mund dhe dinë të ulen në tavolinat e bisedimeve dhe të heqin dorë nga përfaqësimi militantesk, i cili po i shkakton dëme të pariparueshme vendit”.