Kosova

Forumi 2015: 80 % e stafit në UP i kanë punimet pa vlerë

U publikua një hulumtim i organizatës joqeveritare “Admovere”, i titulluar “Profesorët bëhen kishe po ligjërojnë, e studentët kishe po studiojnë”

Rreth 80 për qind e stafit akademik në UP i kanë punimet pa asnjë vlerë. Kështu u tha në tryezën e Forumit 2015, ku u publikua një hulumtim i organizatës joqeveritare “Admovere”, i titulluar “Profesorët bëhen kishe po ligjërojnë, e studentët kishe po studiojnë”.

Shkelzen Gashi, nga kjo organizatë, tha se përmes këtij hulumtimi kanë identifikuar rreth 13 probleme me të cilat përballet UP-ja.

“Shumë prej depertamenteve nuk kanë biblioteka fare, ato që kanë biblioteka, i kanë keq të pajisura. Avancimet akademike në UP, përveç që identifikohen, ato nuk dënohen”, u shpreh Shkëlzen Gashi nga organizata joqeveritare “Admovere”.

Ndërsa Rinor Qehaja  nga Instituti “EdGuard”, prezantoi hulumtimin lidhur me UP-në, shikuar nga këndi i studentëve. “Ky institut ka anketuar 1 mijë e 494 studentë, të cilët janë përgjigjur në pyetje të ndryshme lidhur me mbarëvajtjen e ligjëratave, literaturën e ofruar, konsultimin me profesorë, e të tjera.

Vetëm 8 për qind e studentëve kanë thënë se Universiteti i Prishtinës nuk është i politizuar”, tha Qehaja.