Sport

Franca me probleme, lajm i mirë për Shqipërinë

Veç tjerash në Kampionatin Evropian nuk do të marrë pjesë Karim Benzema për shkak të skandalit me Valbuenan dhe kjo sigurisht ka gëzuar rivalët e Grupit A

Përfaqësuesja e Francës po ka probleme me lojtarët e saj dhe ky lajm i përshtatet shumë Shqipërisë, por edhe Zvicrës dhe Rumanisë, që ndodhen në Grupin A në Kampionatin Evropian, që do të zhvillohet pikërisht në Francë.

Mbrojtësi francez i Liverpoolit, Mamadou Sakho është suspenduar nga UEFA për një muaj, derisa të përfundojnë hetimet për doping dhe nuk pritet të jetë në Kampionatin Evropian.

Problemet duket se nuk kanë fund edhe për Mathieu Valbuena. Mesfushori i Lyon-it, pas përjashtimit të Karim Benzema nga Evropiani, është në tension të madh për shkak të presionit të shumë tifozëve që e cilësojnë atë si fajtorin kryesor për mungesën e sulmuesit të Realit të Madridit në Evropian.

Ky tension u duk edhe javën e kaluar në aeroportin e Toulouse. Sipas asaj që publikohet te “France Football”, Valbuena sulmoi një person teksa ky ishte duke e filmuar me telefonin e tij, ndërsa futbollisti kalonte në aeroport së bashku me pjesën tjetër të skuadrës. Sipas versionit të këtij personi që e denoncoi Valbuenën, ky i fundit shkoi në drejtim të tij për ta fyer duke tentuar ta godasë. Më pas i mori telefonin dhe ia shkatërroi duke e hedhur me forcë në tokë.

Siç dihet në Kampionatin Evropian nuk do të marrë pjesë Karim Benzema për shkak të skandalit me Valbuenan dhe kjo sigurisht ka gëzuar rivalët e Grupit A.