Bota

Francezi vendos radar të rremë para shtëpisë së tij

Një banor i rrethinës Azur në Francë, ka gjetur një mënyrë ideale për të ngadalësuar vozitësit para shtëpisë së tij. Dhe ky veprim në Francë nuk është i ndaluar

Një banor i Azurit, ka gjetur një zgjidhje radikale për të frenuar vozitësit përpara shtëpisë së tij, shkruajnë mediat franceze, përcjell Albinfo.ch.

Ai nuk ka qenë në gjendje t`i durojë më veturat duke qarkulluar më tepër se 50 km në orë dhe refuzimin e përsëritur nga komuna për vendosjen e një radari pranë shtëpisë së tij. Prandaj, Philippe Glorieux vendosi një radar të rremë para shtëpisë së tij!

Sipas “Francës Bleu”, radari mashtrues punon në mënyrë të përsosur. Ai nuk ndizet dhe është i pajisur me llamba dhe pasqyra në pjesën e prapme që reflektojnë ndriçimin e fenerëve. Si rezultat, shoferët janë të sigurt se kanë të bëjnë me një radar të vërtetë dhe e ngadalësojnë shpejtësinë!

Në Francë, ligji nuk ndalon instalimin e një radari fiktiv në një pronë private. Nga ana tjetër, përgjegjësia penale e pronarit të saj është e theksuar qartë, në rast të ndonjë aksidenti të shkaktuar nga aparatura e rreme.