Autotech

Fundi i thyerjeve të ekraneve të telefonave, zbulohet xhami që vetërikuperohet

Hulumtuesit japonezë thonë se kanë zhvilluar një tip të ri të xhamit i cili mund të rikuperohet vetë nga thyerjet dhe çarjet.

Xhami i përbërë nga polimeri i lehtë mund të rirregullohet kur bëhet presion në të, pa nevojën e ndonjë materiali të nxehtë për t’i bashkuar dy pjesë.

Hulumtimi, i publikuar nga “Science”, prej hulumtuesve të udhëhequr nga profesor Takuzo Aida prej Universiteti të Tokios, premton xham të rikuperueshëm i cili mund të përdoret në të ardhmen për telefona dhe pajisje të tjera teknologjike.

Lloji i veçantë i materialit që përdoret ishte zbuluar aksidentalisht nga studenti Yu Yanagisawa, i cili po e përgatiste materialin për ngjitës. Ai gjeti se sipërfaqja e polimerit ishte çarë anash, por prapë u bashkua pasi i mbajti dy pjesët bashkë për 30 sekonda.

Disa eksperimente të tjera treguan se materiali u rregullua në formën origjinale pas disa orësh.

“Shpresoj që xhami që rregullohet vetë do të bëhet material i ri në mbrojtje të ambientit i cili shmang nevojën për hedhje të telefonave nëse thyhen”, ka thënë Yanagisawa për “NHK”, transmeton Albinfo.ch.

Kjo nuk është hera e parë që polimeri sugjerohet për ekrane. Hulumtuesit e Universiteti të Kalifornisë kishin propozuar përdorimin e këtij materiali i cili mund të shtrihej deri në 50 herë më shumë se madhësia origjinale dhe mund të bashkohej për 24 orë.