Integrimi

Fushatë me migrantët kundër “Iniciativës…” së SVP/UDC-së

Për të parandaluar fitoren e "Iniciativës për zbatim..." Partia Socialdemokrate (SP/PS) ka nisur një fushatë e cila u drejtohet kryesisht votuesve me prejardhje të huaj. Konferenca për shtyp e mbajtur të premten në Bernë i shërbente këtij qëllimi

 

Iniciativa e SVP-së “për zbatimin e iniciativës për dëbimin e të huajve kriminelë” e cila do të hidhet në votim më 28 shkurt, ka mobilizuar partitë dhe organizatat që nuk pajtohen me ashpërsinë dhe rixhiditetin e kësaj iniciative. Të përkujtojmë: Iniciativa për ose kundër të cilës do të votohet më 28 shkurt është një variant edhe më i ashpër i “Iniciativës për dëbimin e kriminelëve të huaj”, e cila qe votuar nga populli i Zvicrës mbi pesë vite më parë. Sipas iniciatores, partisë së djathtë populiste SVP/UDC, teksti i iniciativës së parë nuk qe zbatuar nga institucionet përgjegjëse dhe madje qe zbutur nga to aq sa e kanë parë të domosdoshme hedhjen e saj edhe njëherë në votim.dhe për këtë arsye duhen sensibilizuar për të votuar kundër. Për të realizuar këë qëllim, SP/PS kishte organizuar një konferencë për shtyp që u mbajt të premten në Qendrën Mediale të federatës, në Bernë.

Kryesuar nga kryetari i këshillit për migrantë në kuadër të kësaj partie, Mustafa Atici, stafi që mbajti konferencën përfaqësonte shumicën e komuniteteve të mëdha që jetojnë në Zvicër.

Në gjuhët e komuniteteve

Në konferencën për shtyp, synimet e fushatës i kanë prezantuar krahas gjuhëve të vendit edhe në gjuhët e komuniteteve si në gjuhën italiane: deputeti nacional Martin Naef; në gjuhën shqipe: Osman Osmani, nënkryetar i këshillut për migrantë dhe njëherësh deputet kantonal nga Schaffhausen; në gjuhën spanjolle: deputetja nacionale Rebecca Ruiz; në gjuhën kurde dhe turke: Ihsan Kurt, këshilltar në në komunën Prilly të Vaudit; dhe në atë portugeze, Isabel Bartal, këshilltarja në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut .

Osman Osmani, duke iu drejtuar të pranishmëve në gjuhën gjermane dhe shqipe foli lidhur me dëmin që shkakton iniciativa e 28 shkurtit në përgjithësi dhe për rrethanat specifike në të cilat është komuniteti shqiptar, kryesisht ai i Kosovës në këtë aspekt . “Ashtu si deklaron me të drejtë edhe Departamenti Federal i Drejtësisë dhe Policisë të Zvicrës: Nisma për Zbatim të Dëbimit (NZD) parashikon një automatizëm të rreptë deportimi: Për vepra të caktuara çdo person i huaj përjashtohet automatikisht nga Zvicra, pa pasur mundësi që au­toritetet penale të mund të shqyrtojnë rrethanat e rastit. Ligjet për implementimin e iniciativës së parë të votuar të dëbimit, parashohin gjithashtu dëbimin e detyrueshëm për vepra të rënda; në sajë të një klauzole për rastet e rënda, një gjykatë në raste të jashtëzakonshme mund të përmbahet nga një vendim i tillë”, u shpreh Osmani.

Kosovarët kanë dhe një problem më tepër!

Por, shtoi ai “nëse NZD aprovohet, atëherë nuk do të vlejnë të drejtat e deklaruara të njeriut dhe vlerat dhe normat të cilat janë të garantuara edhe me Ligjin Themelor, respektivisht me Kushtetutën Federale. Veç tjerash, të 400,000 se­kondot zviceranë, edhe përkundër faktit se kanë lindur, janë rritur e socializuar këtu, do të dëbohen në mënyrë arbitrare nga qendra e tyre jetësore për në vendin e origjinës së prindërve të tyre”, tha Osmani më tutje.

Ndërsa ai u ndal edhe te problemi specifik që ka Kosova, gjegjësisht kosovarët në këtë drejtim. “Për bashkatdhetarët e mi të origjinës, veçanërisht për qytetarët e Repub­likës së Kosovës, të cilët për dekada të tëra kanë punuar punë të vështira, në rastin e aprovimit të NZD, përveç me pasojat e dëbimit, ata selektivisht – shkaku i Marrëveshjes së munguar ndërshtetërore për Sigurimet Shoqërore – do të përballen edhe me pasojat e rënda edhe nga fusha e përfitimeve të sigurimeve shoqërore”. Ai me këtë rast ka pëmendur shembuj konkretë të kosovarëve të cilët edhe pse kanë punuar nga vitet `70 në Zvicër, pas sëmurjes ose invaliditetit janë dëbuar në Kosovë. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, disa prej tyre i ka goditur edhe ndërprerja e marrëveshjes së përmendur ndërshtetërore për Sigurimet Shoqërore, duke mbetur pa asnjë burim jetese. “Kështu, qytetarët e Kosovës, të cilët për çfarëdo shkaku humbin vendbanimin e tyre në Zvicër, si pasojë katastrofale për ta është edhe mospërfitimi nga Sigurimet Shoqërore, pra humbja e pensionit të moshës së pleqërisë dhe atë të invaliditetit, si në rastin e lartpërmëndur, ka theksuar Osmani.

U drejtohen një milion shtetasve zviceranë me prejardhje të huaj

Ndërsa drejtuesi i konferencës për shtyp, njëherësh kryetari për migracion në SP/PS, Mustafa Atici, i pyetur nga albinfo.ch ka thënë se kjo fushatë po bëhet për të arritur te ata rreth një milionë njerëz me prejardhje të huaj të cilët kanë tashmë shtetësinë zvicerane.

“Ne e shohim potencialin e madh për ta përmbysur epërsinë e SVP-së pikërisht në këtë drejtim. Për këtë arsye jemi angazhuar maksimalisht që kësaj kategorie të madhe te njerëzve t`i drejtohemi dhe ta sensibilizojmë duke iu drejtuar edhe në gjuhët e tyre. Këtij qëllimi i shërben edhe konferenca e sotme pë shtyp, ku janë ftuar enkas të gjitha mediet në gjuhët e komuniteteve”, thotë Atici.

Ndërsa pyetjes sonë për koordinimin eventual të këtij aksioni me partitë dhe subjektet tjera ai i përgjigjet se SP/PS vepron së bashku me të gjelbrit dhe me shumë organizata të tjera joqeveritare si dhe me sindikata. Por partitë tjera, të djathta dhe të qendrës, të cilat janë po ashtu kundër “iniciativës”, kanë krijuar trupa të tjera të pavarura që veprojnë në këtë drejtim, ka thënë veç tjerash Atici.

Të gjithë folësit në fjalët e tyre të gjithë kanë vënë theksin në aspekte të ndryshme të dëmit që shkakton votimi i iniciativës dhe kanë apeluar që kundër saj të votohet në mënyrë sa më të vendosur.