Futboll

Futbollisti shqiptar feston më tepër se ç’duhej, përjashtohet nga fusha e gjelbër

Pasi sulmuesi shqiptar edhe më parë ishte ndëshkuar me një karton tjetër të verdhë, ai u përjashtua nga loja me karton të kuq para përfundimit të ndeshjes

Në një ndeshje shtesë të Ligës së dytë inter-rajonale të grupit 6, klubi futbollistik FC Dübendorf ka arritur të përfitojë një barazim 1:1 kundër ekipit Uzwil.

Trajneri i Dübendorfit, Marcel Erismann, ka shpresuar që të arkëtojë së paku katër pikë nga dy ndeshjet e kësaj jave, kundër Uzwil dhe Winkeln. Dhe në fakt, qëllimin e parë e arriti ndaj ekipit të favorizuar Uzwil, me rezultat 1:1.

Për trajnerin shqiptar të Uzwilit, Sokol Maliqi, kjo ka qenë një ndeshje e jashtëzakonshme pasi në periudhën në mes vitit 2013 dhe 2015, ai është përkujdesur për ekipin e Dübendorfit dhe tani po takohej me shumë miq të vjetër, shkruan “Zueriost”, përcjell Albinfo.ch.

Mysafirët erdhën në avantazh një çerek ore para përfundimit të ndeshjes. Por, vendasit nuk u dorëzuan deri në minutat e fundit, kur futbollisti shqiptar Ali Hoti shënoi nga afërsia duke barazuar rezultatin.

Futbollistët vendas filluan të festojnë golin me eufori të madhe, në mesin e tyre Hoti u dallua dhe u ndëshkua me karton të verdhë. Pasi sulmuesi shqiptar edhe më parë ishte ndëshkuar me një karton tjetër të verdhë, ai u përjashtua nga loja me karton të kuq para përfundimit të ndeshjes.