E-Diaspora

Gara ilegale e dy kosovarëve në autostradë, i merr jetën një italiani

Njëri nga kosovarët ka humbur kontrollin mbi makinën gjatë një manovrimi riskant me ç`rast ka dalë në korsinë tjetër dhe është përplasur me makinën që po vinte në mënyrë të rregullt nga ana tjetër

Gara ilegale me vetura që po zhvillonin dy  të rinj me prejardhje nga Kosova në një rrugë automobilistike në Itali, ka pasur përfundim tragjik për një pjesëmarrës tjetër, të pafajshëm në trafik, shkruan südtiroler news. Njëri nga kosovarët ka humbur kontrollin mbi makinën gjatë një manovrimi riskant me ç`rast ka dalë në korsinë tjetër dhe është përplasur me makinën që po vinte në mënyrë të rregullt nga ana tjetër, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në natën në mes të të enjtes dhe të premtes. Shumë dëshmitarë kishin vënë re se si dy vetura vazhdimisht e tejkalonin njëra tjetrën. Në timon të një Audi A3 dhe një Alfa 147 ishin dy të rinj me prejardhje nga Kosova, kushërinj në mes vete. Makina e 26 vjeçarit E.B. (i dënuar tashmë disa herë) në një kthesë të rrugës Via del Mare afër lokalitetit San Dona di Piave ka tejkaluar atë të kushëririt të tij K.K.

Ky i fundit, 21 vjeçar, për të fundit herë ka provuar ta tejkalojë të parin dhe ka humbur kontrollin, duke shkaktuar aksidentin e rëndë, transmeton albinfo.ch. Personi që po vinte nga ana e kundërt një punëtor italian 53 vjeçar ka pësuar, duke paguar me jetë lojën e dy të rinjve.

Disa dëshmitarë të cilët ishin ndalur për të dhënë ndihmën e parë, kanë vënë re se shkaktari i aksidentit (K.K) përkundër lëndimeve ka dalë nga makina dhe, pa shikuar fare personin që po vdiste, ka provuar të ikë nga vendi i ngjarjes.

Ndihma e parë ka ardhur shumë vonë për italianin i cili ndërkohë kishte vdekur nga plagët e rënda.

Karabinierët pastaj i kanë rënë në gjurmë shkaktarit të aksidentit dhe e akne arrestuar atë së bashku me kushëririn e tij 26 vjeçar. Ky i dyti ka deklaruar para karabinierëve se e ka transportuar 21 vjeçarin në një spital në Trieste, ku pastaj është arrestuar.

Të riun i cili nuk kishte as patentshofer, e rëndon dyshimi për shkaktim vrasjeje në komunikacion dhe për mos ofrim të ndihmës, përcjell albinfo.ch. Ndërsa për ndihmë në dy veprat e përmendura penale akuzohet edhe kushëriri i tij E. B. Të dytë janë dërguar në burg, në Venedik dhe i pret një proces gjyqësor që mund t`u shqiptojë dënime me heqje lirie disavjeçare.