Kosova

Gashi: Diasporës duhet t’i jepet më shumë hapësirë

“Jemi të gatshëm t’ju mbështesim në prurjen e investitorëve në vendin tuaj, veçanërisht në fushën e minierave”, ka thënë ambasadori britanik

Ministri i Diasporës dhe i Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, e ka informuar ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell, për dikasterin e Diasporës dhe të Investimeve Strategjike. Për këtë të fundit ka përmendur sfidat dhe përparësitë e investimeve të huaja në Republikën e Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Në njoftimin për media theksohet se ambasadori ka deklaruar se janë të interesuar të investojnë në Kosovë, në fushën e minierave dhe në Brezovicë.

“Jemi të gatshëm t’ju mbështesim në prurjen e investitorëve në vendin tuaj, veçanërisht në fushën e minierave”, ka thënë ambasadori britanik. Ai është informuar nga ministri Gashi edhe për planet e Ministrisë së Diasporës.

“Kemi një diasporë të fuqishme, së cilës duhet t’i jepet më shumë hapësirë dhe ta kthejmë vëmendjen e investitorëve nga vendi ynë ”, ka thënë ndërkaq ministri Gashi.