Sport

Gashi synon të luajë për kombëtaren e Zvicrës

24-vjeçari ishte pjesë e ekipit U-21 të helvetikëve në të kaluarën, por tash ai ka një dëshirë tjetër të jetë pjesë e kombëtares zvicerane

Mesfushori kosovar Shkëlzen Gashi synon të luajë me përfaqësuesen e Zvicrës.

Ghashi mund t’i bashkëngjitet në kombëtaren zvicerane Xherdan Shaqirit, Granitës Xhakës, Valon Behramit, Albert Bunjakut, Blerim Xhemajlit dhe Admir Mehmedit

24 vjeçari ishte pjesë e ekipit U-21 të helvetikëve në të kaluarën, por nga ajo kohë nuk kishte luajtur më për këtë ekip. Tash ai ka një dëshirë tjetër të jetë pjesë e kombëtares zvicerane.

“Synim imi është të luaj sërish për ekipin kombëtar. Unë kam zhvilluar shumë ndeshje me ekipin e të rinjve. Grasshoppersi megjithatë është prioritet imi. Dëshiroj ta jap kontributin posaçërisht për klubin dhe të luaj mirë, ndërsa të tjerat më pas vijnë vetvetiu”, theksoi 24 vjeçari për ueb faqen zvicerane sport.ch, transmeton  Express.

“Kjo është një eksperiencë e veçantë dhe e rëndësishme për një lojtar, i cili nuk e ka pasur asnjëherë mundësinë të luajë për përfaqësuesen. Mua më mbetet të jem i freskët dhe të mos e humbas kokën. Shpresoj të vazhdoj me formë të mirë”, tha Gashi.

Gashi ka nënshtetësi të dyfishtë. Edhe pse ka pasaportë të Kosovës, ai nuk mendon të luajë për vendlindjen e tij, së paku derisa kjo e fundit të pranohet në FIFA dhe UEFA.

“Jo, momentalisht Kosova nuk është në mendjen time, jam i fokusuar te Grasshoppersi. Nëse një ditë do të ndodhë pranimi i saj dhe ekipi kombëtar do të bashkohet, atëherë do ta shikoja mundësinë, por jo më herët”, ka thënë ai.

Gashi kishte një periudhë të gjatë lëndimi në fillim të sezonit, me çka edhe përfundoi në bankinë disa herë. Kurse, ndaj Baselit luajti për herë të parë nga minuta e parë. Tash ai ndihet mirë dhe është i gatshëm për lojë.

Pasi ndërroi shumë ekipe si Zurich, Schaffhausen, Bellinzona, Xamax e Aarau, Gashi thotë se ka fituar eksperiencë, edhe pse kaloi momente të mira dhe të këqija. Ai nuk e ka ndërmend të lëvizë nga ekipi aktual.

Gashi i ka falënderuar trajnerët me të cilët ka punuar deri tash, të cilët e kanë ndihmuar të arrijë deri këtu ku është sot, por nuk e harroi as familjen, e cila ka qenë përkrahje e vazhdueshme e tij gjatë karrierës.