Lajme

Gazetarët i ‘futen’ politikës

Milaim Zeka, Halil Matoshi, Arbana Xharra, Driton Selmanaj, Blerim Shala, janë nga gazetarët dhe analistët që lanë profesionet e tyre për të hyrë në politikë

Një numër i madh i gazetarëve dhe analistëve në Kosovë kanë aderuar në parti të ndryshme para zgjedhjeve të 11 qershorit.

Të enjten e kaluar Milaim Zeka, një gazetar që ka punuar për programin televiziv “Pa Rrotlla”, iu bashkua Nismës për Kosovën. Zeka më parë ka qenë i lidhur me partinë më të madhe politike në vend, Partinë Demokratike të Kosovës, PDK. Një ish-gazetar i Zërit, Blerim Shala, gjithashtu u bashkua PDK-së. Gjithashtu edhe analisti Halil Matoshi hyri në AAK, kurse Arbana Xharra në PDK, raporton “BIRN”.

Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK e kryeministrit Isa Mustafa, nga ana tjetër, ka arritur të bindë ekspertin për çështjet ekonomike, Lumir Abdixhiku, për t’u anëtarësuar me partinë e tij. Driton Selmanaj gjithashtu iu bashkua LDK-së, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, transferimi që tërhoqi vëmendjen më të madhe në fillim të majit ishte ai i Arbana Xharrës, ish-kryeredaktore e gazetës ‘Zëri’, e cila u tërhoq nga gazetaria për t’u bashkuar me PDK.

Përdorimi i gazetarisë si një trampolinë për të hyrë në politikë ka qenë një tipar i jetës politike të Kosovës për më shumë se një dekadë. Në të shkuarën, botues dhe gazetarë si Veton Surroi, Astrit Salihu, Dukagjin Gorani, Ylber Hysa, Margarita Kadriu dhe Berat Buzhala kanë hyrë po ashtu në politikë.