Shqipëria

Gjatë verës u regjistruan 920 zjarre, shumica të qëllimshme

Pjesë më e madhe e këtyre zjarreve kanë qenë të qëllimshme, thotë përfaqësuesit e Emergjencave Civile në Shqipëri

Gjatë muajve të verës, ku ka mbizotëruar një mot shumë i nxehtë, në Shqipëri janë regjistruar më shumë se 900 vatra të zjarrit, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha në pyjet dhe kulturat bujqësore të vendit. Pjesë më e madhe e këtyre zjarreve kanë qenë të qëllimshme, thotë përfaqësuesit e Emergjencave Civile në Shqipëri.

Drejtori i Emergjencave Civile në një raport paraprak, pasi ende ka vende ku luftohet me flakët, ka bërë të ditur numrin e vatrave të zjarreve në të gjithë vendin dhe mënyrat e ndërhyrjes për fikjen e tyre, transmeton TCH.

“Janë regjistruar mbi 900 vatra zjarri, nga ato më të voglat e deri tek zjarret masive e në rrezikshmëri të lartë, nga të cilat rreth 500 raste janë menaxhuar nga strukturat vendore të shërbimit zjarrfikës. Mbi 280 raste të zjarreve masive me rrezikshmëri për jetën njerëzore,  pasuri e mjedis, është kërkuar domosdoshmërish mbështetje e strukturave operacioniale në nivel qendror”, thotë Shemsi Premçi, kreu i Emergjencave Civile.

Ndërkohë vetëm ditën e hënë, sipas Premçit, janë regjistruar 8 vatra zjarri në të gjithë vendin në qarqet e Shkodrës, Lezhës, Fierit, Dibrës, Elbasanit, Vlorës dhe Korçës, ku janë angazhuar 40 punonjës zjarrfikës, 50 forca të armatosura, 90 punonjës të pyjores dhe dy automjete zjarrfikëse.

Nisur nga situata e kësaj vere Premçi, përveç shtimit të kapaciteteve mekanike dhe njerëzore për zjarrfikëset, kërkon edhe rikonceptim të shërbimit zjarrfikës si në vendet e Evropës. Këto deklarata u bënë gjatë ceremonisë së dhurimit të 600 pompave të shpinës për fikjen e zjarreve dhe 100 uniformave zjarrduruese nga gazsjellësi TAP.