Kosova

Gjendje alarmante në arsimin e Kosovës

Profesorët në Universitetin e Prishtinës janë shumë të shqetësuar me gjendjen në arsimin e Kosovës, dhe thonë se duhet ndryshime rrënjësore

Cilësia e arsimit në Kosovë vazhdon të jetë në gjendje shqetësuese. Kjo është dëshmuar edhe me statistika, derisa edhe shumë profesorë e kanë ngritur zërin se duhet ndryshime rrënjësore.

Ndër ta janë edhe profesorët e Universitetit të Prishtinës, Milazim Krasniqi dhe Rrahman Paçarizi, të cilët janë shumë të shqetësuar me gjendjen në arsimin e Kosovës, raporton albinfo.ch.

“Në provimin pranues plotësues në UP, sërish na u paraqit e njëjta gjendje e mjerueshme e paditurisë së nxënësve. Në departamentin tonë mbi 80 për qind e tyre nuk i dinë fare përmbajtjet e librave të shkollës së mesme, edhe pse me ato përmbajtje e kanë kryer shkollën e mesme dhe maturën shtetërore! Nuk arrij të kuptoj se si është e mundshme kjo?! O njerëz, e ardhmja e këtyre të rinjve praktikisht është e shkatërruar nga këto shkolla të mesme të tmerrshme. Shumica e këtyre shkollave ose duhet të mbyllen krejt, ose duhet të shndërrohen në shkolla prej vërteti. Kështu si del rezultati, këto veç shkolla nuk janë!”, ka shkruar Krasniqi në rrjetet sociale. Ai është profesor në Departamentin e Gazetarisë.

Ndërkohë, Rrahman Paçarizi, ka njoftuar se nga 141 kandidatë që kanë konkurruar për t’u pranuar në Degën e Gjuhës Shqipe në Universiteti e Prishtinës, vetëm 2% kanë ditur se si bën pjesorja e foljeve “guxoj, marr, jap, di, bie”, dhe se vetëm katër përqind janë përgjigjur saktësisht.

“Nga 141 kandidatë që konkurruan për t’u pranuar në Degën e Gjuhës Shqipe në UP, vetëm 2 për qind kanë ditur se si bën pjesorja e foljeve guxoj, marr, jap, di, bie, dhe vetëm 4 për qind janë përgjigjur pjesërisht. I dashur ministër, Bytyçi. E di që këto ditë je shumë i zënë me takime protokollare e me incizimin e gjendjes. E di që duhet të takosh figura publike e politike. E di që je nën presion të madh sa i përket përzgjedhjes së ekipit, pasi ke obligime ndaj partisë e partive të koalicionit. E di që grupe të caktuara mund të të imponohen e të përpiqen të t’i tregojnë prioritetet”, ka shkruar Paçarizi, duke shtuar: “Zoti ministër, e di që të bombardojnë me llafe se si gjendja në UP na qenka e mjerueshme, e çka jo tjetër. E di që harrojnë të t’i përmendin universitetet publike nëpër qytetet e Kosovës dhe kolegjet jopublike. Tekefundit, më lehtë është me u marrë me UP-në. Por, për këto një here tjetër. Alarmi, ministër ka rënë moti. Ai alarm ka të bëjë me shkollat fillore dhe të mesme. Me to nuk merret kush, përjashtuar kohën e fushatës kur ua bëjnë “zbor-in” e i çojnë nëpër darka e dreka, se u duhet vota e tyre. Alarmi është më i zhurmshëm, pasi bëhet fjalë për lëndën “Gjuhë shqipe” e cila mësohet nga klasa e parë e fillores, deri në klasën XII. Alarmi bëhet shurdhues, kur dihet se këta kandidatë kanë kryer me sukses testin e maturës (ku pyetjet nga gjuha e letërsia janë disafish më të vështira). Alarmi, bëhet i padurueshëm kur shikohet se shumica dërrmuese e këtyre kandidatëve vijnë me sukses të shkëlqyeshëm nga shkollat e mesme”, ka thënë ndër të tjera Rrahmani, gjithashtu profesor në Departamentin e Gazetarisë.