Kosova

Gjendje e rëndë në Suharekë pas vërshimeve

Gjendje e jashtëzakonshme ka qenë natën e mbrëmshme në komunën e Suharekës.

Shumica e fshatrave dhe qyteti kanë qenë nën ujë pas reshjeve të dendura të shiut.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë për “lajmi.net” se ka thirrur Shtabin emergjent, ku do të formohen komisionet që do të merren me vlerësimin e dëmeve.

Ai ka bërë të ditur se në orën 12:45 do të ketë një konferencë për media, ku do të jepen detaje më të hollësishme nga e gjithë kjo situatë.

“Situata ka qenë shumë alarmante. 50% e fshatrave dhe qyteti ka qenë nën ujë. E kam një konferencë për media në 12:45. Shtabin emergjent e kam thirrur në orën 12:00, ku do t’i marrim vendimet dhe do të formojmë komisionet, vlerësimin e dëmeve, dhe një komision emergjent aty për aty të dalë në terren e të marrë masa”, tha fillimishti i pari i Komunës, shkruan ‘lajmi.net’.

Muharremaj ka bërë të ditur se nga përmbytjet ka edhe të lënduar.

Ai ka thënë se i lënduar ka mbetur shefi i zjarrfikësve, të cilin e kanë dërguar në spitalin e Prizrenit.

“Ka të lënduar, është i lënduar edhe shefi i zjarrfikësve, e kemi dërguar me ndihmë të shpejtë në Prizren. Falënderoj zjarrifkësit e Prizrenit dhe regjionit që kanë ardhur në orët e natës dhe jemi kanë bashkë deri në orët e para të mëngjesit”, theksoi Bali Muharremaj, përcjell albinfo.ch.

Kryetari i komunës është zotuar se të gjitha masat e mundshme do të merren menjëherë që situata të normalizohet.