Kosova

Gjermanët, investuesit më të mëdhenj në Kosovë nga paslufta

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, është takuar me udhëheqësit e kompanisë “Sowi Kosovo” dhe në prani të zv/ambasadorit gjerman

Kompania gjermane “Sowi Kosovo” është e gatshme t’i investojë 175 milionë euro në në sektorin e energjisë së ripërtërishme në Kosovë. Kjo do të bëhet kompania e parë e regjistruar si investitor strategjik në kuadër të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, është takuar me udhëheqësit e kompanisë “Sowi Kosovo” dhe në prani të zv/ambasadorit gjerman, Jan Axel Voss, ka siguruar se Kosova është e përkushtuar t’i mbështesë investitorët nga shtetet mike si Gjermania.

“Gjermania është një vend mik, i ka mbështetur vazhdimisht proceset nëpër të cilat po kalon Republika dhe, sigurisht, e ka derën hapur të investojë në vendin tonë. Nëse shkon gjithçka siç duhet me projektin, atëherë ky do të jetë investimi më i madh i realizuar në Kosovë që nga paslufta”,- ka thënë Gashi.

E zëvendësambasadori gjerman, Jan Axel Voss, e ka përshëndetur krijimin e dikasterit për investime strategjike, i cili do ta lehtësonte në masë të madhe prurjen e investitorëve në Republikën e Kosovës. Kompania gjermane “Soëi Kosovo”, 3 vjetët e fundit, ka bërë matjen e erës në regjionin e Bajgorës.  Sipas projektit, planifikohet prodhimi i 105 megavat energji elektrike, duke e renditur Kosovën në vendin e parë në Evropën Juglindore.