CH-Ballkani

Gjermania do të kërkojë fuqi punëtore në Shqipëri dhe Kosovë

Spahn pohon se Gjermania ka nevojë për rreth 50.000 persona që punojnë në shëndetësi dhe sektorin e përkujdesjes për të moshuarit

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn do të kërkojë ndihmë në Evropën Juglindore për zgjidhjen e problemit me mungesën e personelit në shëndetësi. Në veçanti në Kosovë dhe Shqipëri ka një potencial shumë të lartë të fuqisë së re punëtore, deklaroi ai për gazetën gjermane “Bild am Sonntag”. “Përgatitja e personelit atje është shpesh më e mirë se sa mendojmë ne”, tha Spahn. “Por ka shumë probleme të mëdha me dhënien e vizave”. Politikani i CDU-së thotë: “Ajo që nuk mund të kuptoj fare është se këta persona të përgatitur dhe të shkolluar duhet të presin shpesh deri në dhjetë muaj për një vizë për Gjermani. Këto procedura duhet të përshpejtohen”. Edhe njohja e diplomave zgjatë tepër gjatë, mendon ministri, shkruan “DW”.

Spahn pohon se Gjermania ka nevojë për rreth 50.000 persona që punojnë në shëndetësi dhe sektorin e përkujdesjes për të moshuarit. “Duhet të kërkojmë ndihmë në vendet jashtë Gjermanisë”. Në Gjermani nuk ka më gati asnjë spital apo institucion për përkujdesjen që të mos ketë fuqi punëtore nga vendet tjera, përcjell albninfo.ch.

Ministri i Punës, Hubertus Heil (SPD) planifikon të fusë të drejtën që të huajt të marrin vizë për gjashtë muaj me qëllim që të kërkojnë punë në Gjermani. “Të huajt që duan të punojnë në sektorin e përkujdesjes do të duhej të marrin vizë për gjashtë muaj dhe të vijnë në Gjermani. Kushti: ata nuk mund të marrin asnjë cent nga sistemet sociale, e nëse as pas gjashtë muajve nuk kanë gjetur ndonjë vend pune, atëherë duhet të kthehen në vendin e tyre”, tha Heil për të njëjtën gazetë. Me rëndësi është që Gjermania më në fund të nxjerrë një ligj të mirë për ardhjen e organizuar të migrantëve.