Shqipëria

Gjermania për 30 vjet ka investuar 1 miliard euro në Shqipëri

Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë prej vitit 1988 me më shumë se 1 miliard euro në zgjerimin e sektorit të energjisë dhe ujit, menaxhimin e mbetjeve, mbrojtjen e burimeve dhe zhvillimin ekonomik.

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz, është shprehur se Shqipëria ofron mundësi për një numër qartësisht më të madh investimesh, p.sh. për një bujqësi moderne, apo në prodhimin e energjisë diellore dhe natyrisht edhe në turizëm.

“Në 2017 ishin rreth 120 000 turistë gjermanë që mbërritën të zbulonin bukurinë e peisazhit shqiptar, një rritje kjo prej më shumë se 50% krahasuar me vitin e shkuar”. Kështu është shprehur ambasadorja gjermane para të ftuarve sipërmarrës dhe përfaqësues të qeverisë në pritjen e përbashkët për Vitin e Ri, organizuar nga Ambasada Gjermane dhe DIHA (Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri), përcjell albinfo.ch.

Edhe pse potenciali i madh i Shqipërisë është tërheqës, investitorët do të vinë vetëm atëherë kur edhe kushtet ligjore të jenë të duhurat, e në mënyrë të veçantë kur ata investitorë që zhvillojnë aktivitetin e tyre tashmë këtu, të trajtohen në mënyrë luajale: pikërisht këta janë ambasadorët më të mirë për Shqipërinë si vend investimesh, shkruan ‘Monitor’.

Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë prej vitit 1988 me më shumë se 1 miliard euro në zgjerimin e sektorit të energjisë dhe ujit, menaxhimin e mbetjeve, mbrojtjen e burimeve dhe zhvillimin ekonomik.

Thelbi i ndihmës ka qenë përmirësimi i kushteve të jetesës së njerëzve, krijimi i mundësive të punësimit dhe të të ardhurave duke ofruar kësisoj perspektivë për të ardhmen.