Zhvillim

Gjermania, për 8 muaj u ka dhënë punë 63 mijë vetave nga Ballkani

Rreth 63 mijë leje pune, ose 70% më shumë se në vitin paraprak, i ka lëshuar Agjencia Federale e Punës për punëkërkuesit nga vende si Shqipëria, Kosova apo Serbia, gjatë tetë muajve të fundit.

Numri i “gastarbajterëve” nga Ballkani Perëndimor të cilët punësohen në Gjermani, ka shënuar një rritje të madhe gjatë këtij viti. Rreth 63 mijë leje pune i ka lëshuar Agjencia Federale e Punës për punëkërkuesit nga vende si Shqipëria, Kosova apo Serbia, gjatë tetë muajve të fundit. Dhe kjo shifër është afër 70 për qind më e lartë se në vitin pararendës, shkruan welt.de.

Ky trend i rritjes së numrit të të punësuarve nga Ballkani ka ardhur si rezultat i një “ndryshimi të kursit”, që bëri  Qeveria Federale e Gjermanisë në fund të vitit 2015. Atëbotë qe vendosur që përmes një programi për punësimin e të huajve nga ky regjion, të bëhet ndalimi i ardhjes masive të azilkërkuesve ballkanikë, numri i të cilëve aso kohe kishte mbërritur shifra rekorde.

Shumica dërmuese e tyre, në Gjermani kishin ardhur në fakt për të punuar, ndërsa nuk i plotësonin aspak kushtet për azil, shkruan albinfo.ch. Kështu, në pothuaj 100 për qind të rasteve u qe refuzuar kërkesa e azilit.

Ndërsa programi i ri që kishte hyrë në fuqi si një lloj kompensimi për refuzimin e azilit, mundëson që njerëzit nga Ballkani Perëndimor, nën kushte të caktuara, të mund të vijnë si migrantë të punës në Gjermani.

Programi është në fuqi deri në vitin 2020. Ndërkaq, në Berlin po diskutohet nëse ky model do të përshtatej edhe për migrantët nga regjione tjera si Afrika Perëndimore etj.

Por, siç shkruan gazeta, përmbushja e programit nuk është një punë e lehtë. Në radhë të parë për shkak të kushteve që duhet t`i plotësojnë gastarbajterët e ardhshën, si njohja e gjuhës etj, transmeton albinfo.ch. Por edhe për faktin se fuqi punëtore kërkohet në vetëm disa degë të ekonomisë si në ndërtimtari, shëndetësi dhe përkujdesje sociale etj.

Sidoqoftë, përfaqësitë diplomatike të Gjermanisë në vendet e Ballkanit Perëndimor janë vërshuar nga kërkesat për punësim në Gjermani përmes tyre dhe ato aktualisht janë të mbingarkuara me punë në këtë drejtim.

Vende pune për këta gastarbajterë ofrohen kryesisht në republikat jugore të Gjermanisë, si Bavaria dhe Baden Württemberg-u, ku dhe ka më shumë mungesa të fuqisë punëtore të profileve të përmendura më lart.