Kosova

Gjilani bëhet me autolarje vetëshërbyese sikurse në Evropë

Zgjim Ibrahimi po e pastronte veturën e tij vetë, por kësaj here jo në oborrin e tij si zakonisht por në një autolarje që për Kosovë është risi. Ai thotë se kjo është diçka që ka munguar deri tash në vendin tonë.

“Unë nuk është se kursej para për ta larë makinën, por për ne meraklinjtë kjo është shumë e mirë. Unë nuk dua t`ia besoj dikujt tjetër makinën time, pse mos ta pastroj vet? Kjo është ide shumë e mire”, ka thënë ai.

Megjithëse çmimi për  pastrimin e makinave në Kosovë është tejet i ulët, Fatmir Haziri nga Prishtina ka hapur këtë muaj në qytetin e Gjilanit autolarjen vetëshërbyese që është në dispozicion të qytetarëve 24 orë, e para e këtij lloji në Kosovë.

Ai thotë se një kohë sa ka qenë refugjat i luftës ne Francë e ka parë këtë model por nuk kishte menduar të bënte një gjë të tillë.

“E kam parë këtë model të autolarjeve në Francë por  atëkohë nuk kam menduar që mund ta ktheja në biznes. Herën e fundit kam parë diçka të ngjashme në Podgoricë dhe kam rënë në kontakt me kompaninë kroate “Adriateh” me të cilët kemi bërë marrëveshje. Kështu, ata e kanë sjellë sistemin dhe e kanë montuar këtu në Gjilan”, ka thënë Haziri, duke shtuar se më së shumti i ka pëlqyer se si funksion sistemi pa kontakt brushë, pasi thotë se makina pastrohet me ujë të nxehtë dhe se uji pastrohet neper filtrat e Osmozës.

Kështu, nuk ka nevojë fare të thahet dhe nuk lë njolla në veturë. Ndërkaq ai thekson se edhe pse ka më pak se një muaj që kur është hapur, kjo autolarje e veçantë në Kosovë është pritur mirë nga qytetarët. Tregon se më shumë ka pasur klientë mërgimtarë por nuk kanë munguar as vendësit.

I tërë projekti Haziri thotë se i ka kushtuar rreth 120 mijë euro.