Gjuha

Gjuha dhe kultura e origjinës, një institucion në lëvizje

Cila është situata reale në kontekstin e evolucionit të gjeneratave migruese të shqiptarëve në Zvicër. Për të mësuar më shumë rreth kësaj kemi konsultuar mësuesen Nexhmije Mehmetaj kryetarin e LAPSH-së, Nexhat Maloku dhe sekretarin e LAPSH për Gjenevë, Gëzim Ilazi

Në një studim dhe raport të vitit 2014 në Bernë, edituar nga CDIP (Conférence suisse des directeurs des instructions publics/ Konferenca zvicerane e drejtorëve të instruksioneve publike) thuhet: “gati një në katër fëmijë që ndjekin shkollën fillore në Zvicër flet një gjuhë tjetër në familjen e tij pos gjuhës së shkollimit. Në zonat urbane, kjo përqindje mund të jetë akoma më e lartë. Nëse flasim shumë për sfidat që kjo paraqet, për nxënësit e përfshirë, për shkollat dhe mësuesit, ne duhet të mos harrojmë se këta fëmijë dhe adoleshentë mbajnë me vete diçka shumë të çmuar: aftësitë gjuhësore shtesë, aftësi që ne duhet t`i inkurajojmë. Ky është qëllimi i gjuhës dhe kulturës së origjinës, dhe ky është qëllimi që ndiqet nga autoritetet e shkollës që mbështesin kurset me masa organizative”.

Mirëpo, a është në kuadrin e LAPSH-së në Zvicër ky konkluzion ende i pranishëm? Cila është situata reale në kontekstin e evolucionit të gjeneratave migruese të shqiptarëve në Zvicër? Në lidhje me këto tema nuk kemi asnjë studim eventual që mund të jetë bërë ndonjëherë deri më tani përpos rezultateve të një ankete që ne kemi bërë.

A e ndjejnë fëmijët e gjeneratës së tretë gjuhën shqipe që e mësojnë në kuadër të Shkollës së Gjuhës dhe kulturës shqiptare e të cilën e flasin me prindërit si gjuhë të folur me të afërme të tyre? Studime të ndryshme nuk e afirmojnë këtë. Gjuha shqipe e folur në familje konsiderohet gjuhë e parë për fëmijët dhe si e tillë promovohet të mësohet në kuadër të LAPSH-së. Nuk është e lehtë të dallohet cila është gjuhë e parë apo e dytë! Në evolucionin e gjeneratave migruese nuk përjashtohet mundësia kur gjuha e parë e folur në familje, me kohë, i lë vendin për shembull gjuhës së tyre të shkollimit në vend, kështu që gjuha shqipe merr vendin e dytë për fëmijët.

“Aftësitë gjuhësore të njohjes së gjuhës së parë që flitet në familje përherë kanë ushtruar një ndikim pozitiv në gjuhë të tjera që mësojnë fëmijët tanë në Zvicër”, shprehet mësimdhënësja shumë aktive e LAPSH-së, nga kantoni Jura, Nexhmije Mehmetaj. Gjithashtu sipas Nexhat Maloku, Kryetar i LAPSH-së në nivel të Zvicrës thotë se “nga hulumtime të ndryshme gjithmonë është përfunduar se të mësuarit e gjuhës së folur në familje si gjuhë e parë nuk e pengon të mësuarit e gjuhës së vendit ku jeton dhe të gjuhëve të huaja. Në të kundërtën, fëmijët që kanë aftësi të mira në gjuhën e tyre të parë, kanë përparësi dhe kjo rritë mundësitë e tyre profesionale”.

Mësuesja Nexhmije Mehmetaj nga përvoja e saj profesionale vjen në përfundim se prindërit që i takojnë gjeneratës së dytë nuk kanë kujdesin e veçantë që fëmijët e tyre të njohin gjuhën shqipe si gjuhë të parë. Sa konkretisht duan ata që fëmijët e tyre të njohin gjuhën shqipe? Cilat janë objektivat për një rezultat të caktuar?

Maloku transmeton se fëmijët shpesh përgjigjen “unë di shqip”! Kurse prindërit, jo të gjithë ndjejnë kënaqësi me rezultatet e vogla që shohin tek fëmijët e tyre. Rezultat i caktuar mund të konsiderohet për disa nga ne prindërit, që fëmijët tanë arrijnë një formë komunikimi gojor me bashkëbiseduesin e dytë që flet gjuhën shqipe në të shprehurit në lidhje me ngjarje të ndryshme familjare etj… Ilustrim i kësaj janë shifrat alarmuese të vitit 2013, ku në tërë territorin që e mbulon në Zvicër, LAPSH ka pasur gjithsej 2500 nxënës prej më shumë se 250 000 shqiptarëve që konsiderohet se jetojnë në tokën helvetike. Ndërkohë kjo shifër ka pësuar rënie të konsiderueshme edhe në vitin shkollor 2015/16 që rezulton me vetëm 2000 nxënës!

Si duhet të ecet tutje? 

Nga një anketë e shkurtër që për albinfo.ch autorja e këtij shkrimi ka bërë këto ditë në Zvicrën frankofone në kantonet Vaud, Jura dhe në Gjenevë mësojmë se këtë vit kemi përafërsisht 480 nxënës të moshës 7 deri në atë 15 vjeçare që ndjekin mësimin shqip. Ata ndjekin mësimet në shkollat publike apo objekte tjera kantonale, jashtë mësimit të rregullt shkollor, nga 2 apo 3 orë në javë. Të angazhuar në mësimdhënie në këto kantone kemi 18 mësues të cilët kanë përgatitje të larta për mësimdhënie kryesisht në vendet e tyre të origjinës.

Përderisa Nexhmije Mehmetaj qëndron bindshëm në angazhimin e saj profesional se “shkollë të mirëfilltë mund të bëjë vetëm shteti”, funksionimin e LAPSH as kryetari i saj për Zvicër nuk e sheh si një prioritet tek shumë anëtarë që në komitete dhe kryesi kantonale kanë marrë përgjegjësi për punë në baza vullnetare. Gjë kjo që në realitet nuk arsyeton assesi pasivitetin e tyre në misionet që ka kjo shoqatë, thekson Gëzim Ilazi, sekretar i LAPSH-së në Gjenevë.

Duke e njohur situatën në vendet e origjinës, LAPSH tani për tani edhe nuk ka pritje joreale nga atje. Përfshirja e gjuhës shqipe në Kuadrin Evropian të Përbashkët të Referencës për gjuhët: të mësuarit, të nxënit, vlerësimi, nga ana konkrete duket ende të jetë larg për shqiptarët në Këshillin Evropian, andaj tani për tani, mbështetja morale nga vendet e origjinës përmbushet fatmirësisht nga mbështetje konkrete falë institucioneve kantonale të Zvicrës që mbështesin funksionimin e kësaj shoqate. Në kantonin e Gjenevës për shembull, pjesa më e madhe financiare sigurohet nga vet shteti, me  donacione të rregullta dhe komunat vënë në shërbim sallat e klasave falas. Në Jura gjithçka bëhet në baza vullnetare duke u mbështetur tek prindërit që kanë fëmijët e tyre këtu.

Në të gjitha kantonet frankofone mësimdhënësit ndeshen me vështirësinë e parë tejet të ndërlikuar që ka të bëjë me përbërjen e nxënësve në klasë. Mosha dhe shkalla e nivelit gjuhësor ndryshojnë prej një fëmijë tek tjetri dhe ky është një ndër faktorët çelës që mund të ndërlikojë mësimdhënien e dëshiruar nga mësimdhënësit. Ata janë të detyruar të ndjekin trajnime të ndryshme profesionale për të adaptuar dhe kuptuar një dukuri të tillë jo të zakontë, veçanërisht në shkollimin fillor. Ky kompleksitet për mësimdhënësit nuk hasë përherë në “veshë të çelur” tek shumë prindër, kurse, shpeshherë edhe vet këshillat dhe kryesitë e LAPSH-së në kantone nuk marrin përgjegjësitë e tyre për t’i shërbyer familjeve shqiptare të cilat pa arsye bien barrë e mësimdhënësve. Edhe pse  shumë nga prindërit ndajnë mjete financiare për një funksionim të denjë të shkollës shqipe, promovimi dhe përgjegjësia e saj bie përsëri barrë e kryesive kantonale, thotë Nexhat Maloku.

Mësimi i gjuhës shqipe nuk duhet të shihet përherë vetëm si urë lidhëse në mes të vendeve shqiptare të Ballkanit. Njohja e saj duhet medoemos të reflektojë aftësi shtesë tek fëmijët tanë të cilët rriten me një dashuri të çmueshme e të pakursyer prindërore.

Ne mbetemi të burgosurit e imazhit se gjuhët janë në konkurrencë me njëra- tjetrën por studimet tregojnë ndryshe, thotë Abdeljalil Akkari, profesor i dimensioneve ndërkombëtare të edukimit në Universitetin e Gjenevës. Mesazhi se të mësuarit e dy gjuhëve që në fëmijëri është një pasuri, është e vështirë për të kaluar. E megjithatë, nga një nivel i caktuar i zotërimit, mundësohet mësuarit më të lehtë të gjuhëve të tjera. Një problem është se shkolla është ende në thelb njëgjuhësore. Përderisa Konfederata Helvetike mbështet mësimin e gjuhëve të vendeve të origjinës së prindërve, LAPSH-ja në nivel zviceran dhe këshillat kantonale duhet patjetër të marrin përgjegjësitë e tyre dhe t’i mveshen punës në praktikat serioze të riorganizimit dhe funksionimit të tyre që të mos humbin përparësitë e situatës në Zvicër dhe të sigurojnë më tutje të mirat që mund t’i reflektojnë në kantonet përkatëse.

Vetëm 2000 nxënës mësojnë shqip në gjithë Zvicrën

Ilustrim i gjendjes jo të mirë janë shifrat alarmuese të vitit 2013, ku në tërë territorin që e mbulon në Zvicër, LAPSH ka pasur gjithsej 2500 nxënës prej më shumë se 250 000 shqiptarëve që konsiderohet se jetojnë në tokën helvetike. Ndërkohë kjo shifër ka pësuar rënie të konsiderueshme edhe në vitin shkollor 2015/16 që rezulton me vetëm 2000 nxënës!