Jeta në Zvicër

Gjykimi i kufitarit atakohet nga të gjitha palët në proces

Kundër vendimit gjyqësor të Gjykatës Ushtarake 4 të Zvicrës kanë paralajmëruar ankesë të tri palët në kontest: i dënuari, prokuroria dhe familja e dëmtuar

Rasti i një pjesëtari të Rojave Kufitare të Zvicrës i cili nuk i kishte ofruar ndihmë një refugjateje shtatzënë, gjatë dëbimit të saj në Itali, edhe pse është sanksionuar, ende nuk ka marrë epilogun e vet juridik. Kundër vendimit gjyqësor të Gjykatës Ushtarake 4 të Zvicrës kanë paralajmëruar ankesë të tri palët në kontest, shkruan sda.ch. Kështu, prokuroria kërkon dënim më të ashpër, mbrojtja e të akuzuarit, kërkon lirim nga fajësia ndërsa familja e viktimizuar siriane ankohet me pretendimin se dënimi është tepër i butë.

Atakimin e vendimit e ka vërtetuar për Agjencinë e Lajmeve të Zvicrës SDA edhe një zëdhënës i Gjykatës Ushtarake, transmeton albinfo.ch. Nga e gjithë kjo rezulton se rasti do të shkojë për t`u ritrajtuar në Gjykatën Ushtarake të Apelit.

Në fillim të dhjetorit, zyrtari kufitar qe dënuar nga shkalla e parë e gjyqit me një dënim prej 7 muajsh burg me kusht dhe po ashtu me një gjobë me kusht prej 60 njësish ditore nga 150 franga. Ai qe gjetur fajtor për shkaktim lëndimi trupor nga pakujdesia, për tentim të ndërprerjes së shtatzanisë dhe për mospërmbushje të shumfishtë të rregullave të shërbimit.

.