Kosova

Gjyqtarët e EULEX-it të pandehurve në rastin “Drenica” iu referohen si “kafshë”

Ish-gjyqtari i EULEX-it, Simmons përmend fakte shokuese për ish-kolegët e tij në rastin e disa proceseve gjyqësore, madje për të pandehurve në grupin “Drenica”, gjyqtarët, sipas tij, u referohen si kafshë

Kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, i cili dha dorëheqje para disa ditësh, akuzoi mision e BE-së në Kosovë, për korrupsion dhe afera të tjera. Simmons përmend fakte shokuese për ish-kolegët e tij në EULEX në rastin e disa proceseve gjyqësore, madje për disa gjyqtarët e EULEX-it, sipas tij, të  pandehurve në grupin “Drenica”, u referohen si kafshë.

RTK nëpërmjet e-mailit ka kontaktuar me britanikun Malcolm Simmons. Ai ka thënë se verdiktet në rastet “Drenica” e “Kleçka” (ku ka qenë protagonist zëvendëskryeministri Fatmir Limaj), kishin për qëllim vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

Një email që Simmons i ka dërguar më 2 Shtator 2017- shefit të Operacioneve në Aftësinë e Planifikimit dhe Sjelljes Civile të Bashkimit Evropian, Kenneth Deane, janë dëshmi të joprofesionalizmit në ndarjen e drejtësisë së misionit të EULEX-it. Përmbajtja e këtij e-maili flet në veçanti për mënyrën se si është marrë vendim që të dënohen të akuzuarit në rastin “Drenica 2”.

“Rastet e Drenicës dhe të Kleçkës ishin jetike për dialogun Prishtinë-Beograd. U bë e qartë për mua nga menaxhmenti i misionit se këto raste ishin thelbësore për të siguruar angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë në këtë proces”, ka thënë ai.

Kjo nuk është akuza e vetme e drejtuar nga Malcolm Simmons drejtë gjyqtarit Dariusz Sielicki dhe EULEX-it.

Ai hedhë pretendime se gjyqtari polak, në bashkëpunim me zyrtarë të lartë të menaxhmentit, ka ndikuar që pjesë e panelit gjyqësor në rastin Drenica 2, të jetë gjyqtarja Anna Admaska Gallant, po ashtu polake, për të cilën edhe më herët janë hedhur dyshime se ka një aferë me Sielickin.

Përfshirja e saj në këtë rast, sipas e-mailit të Simmons, shihet si sigurim I dënimit për të pandehurit në këtë rast që konkretisht Sylejman Selimi është dënuar me 7 vjet burgim, Isni Thaçi me 6 vjet e 6 muaj, Zeqir e Jahir Demaku me nga 6 vite burg, Agim, Driton, Bashkim e Selman Demaj me nga 3 vite, sa janë dënuar edhe Fadil e Nexhat Demaku.

“Gjyqtari kryesues në rastin Drenica 2, Dariusz Sielicki, ka komplotuar me menaxherët e lartë të misionit për të vënë gjyqtaren Anna Adamska si gjyqtaren e dytë të EULEX-it në trupin gjykues. Këtë e kam raportuar tek menaxhmenti i misionit. Menaxherët e misionit të lartë ishin të vetëdijshëm për marrëdhëniet midis këtyre dy gjyqtarëve të EULEX-it dhe për mënyrën se si ishte përfshirë ajo në kolegj. Unë u udhëzova të mos e vazhdoja këtë çështje më tej. Menaxhmenti i misionit ishte i bindur se me kryetarin e gjykatësve Sielicki (dhe gjyqtaren Adamska si anëtare të panelit) u sigurua një dënim.“ – shkruan në dokumentin e siguruar nga RTK.

Jo vetëm dy gjyqtarët e Drenicës 2, Dariusz Sielicki e Anna Adamska Gallant, vinin nga Polonia.

Aktakuzat ishin ngritur nga prokurori Maurisio Salustro, por rastin e kishte vazhduar prokurori, Cezary Michalczuk, i cili po ashtu ishte polak.

Të gjitha këto dhe shumë fakte të tjera tregojnë se Misioni i BE-së për sundim të ligjit kishte shkel;ë parimin e drejtësisë, duke rënë nën ndikim politik për dënimin e palëve.