Bota

“Gjyshet e Plaza de Mayo” kthejnë në shtëpi një person pas 40 vjetësh

Një foshnjë e marrë nga nëna e saj në Argjentinë është ribashkuar me familjen falë punës së grupit të quajtur “Gjyshet e Plaza de Mayo”.

Adriana, tashmë 40-vjeçare, e cila nuk deshi të publikonte mbiemrin e saj, është identifikuar pas testeve të ADN-së. ADN-ja e saj përputhej me familjet e prindërve të saj, të cilët ishin zhdukur gjatë diktaturës ushtarake. Adriana është fëmija i 126-të i gjetur nga ky grup.

Duke folur në një konferencë për media, Adriana tha se kur një burrë e një grua, të cilët e rritën, kishin vdekur, dikush i kishte thënë se ata nuk ishin prindërit e saj biologjikë. Më në fund, të hënën, ajo pranoi një thirrje nga Komisioni Kombëtar i të Drejtës për Identitet, duke i thënë se është konfirmuar që Adriana është e bija e Violeta Ortolani dhe Edgardo Garnierit.

Çifti ishte takuar gjatë studimeve në La Plata, ku ishin aktiv në mesin e grupeve studentore majtiste. Ortolani ishte arrestuar nga ushtria në dhjetor 1976, kur ishte 8 muaj shtatzënë. Adriana u lind në burg, në janar 1977. Garnier u arrestua një muaj më vonë, derisa po kërkonte gruan dhe fëmijën e tij. Që nga arrestimi i tyre, 23-vjeçarja dhe 21-vjeçari nuk u panë më kurrë.