Lajme

Gjysma e viktimave të trafikimit në Kosovë janë fëmijë

Rreth 45 për qind e viktimave të trafikimit në Kosovë janë nën moshën 18 vjeçare. Autoritetet e rendit thonë se në nëntë mujorin e parë të këtij viti janë identifikuar 24 viktima të trafikimit

Trafikimi me qenie njerëzore vazhdon të mbetët shqetësim për institucionet e Kosovës të cilat janë zotuar se do t’i shtojnë kapacitetet e rendit dhe ligjit, në luftë kundër kësaj dukurie. Sipas statisikave, gati gjysma e viktimave të trafikimit janë persona nën moshën 18 vjeç, që e bënë edhe më shqetësuese këtë çështje.

Autoritetet e rendit thonë se në nëntë mujorin e parë të këtij viti janë identifikuar 24 viktima të trafikimit, me ç’rast janë arrestuar 145 persona të dyshuar si trafikantë. Ndërkaq për vitin 2015, statistikat flasin se janë identifikuar 30 viktima të trafikimit, derisa janë arrestuar 178 persona që ndërlidhen me këto raste, citon REL.

Rreth gjysma e këtyre viktimave të trafikimit që shfrytëzohen kryesisht për prostitucion janë fëmijë.

Riza Murati është shef i Sektorit Qendror të trafikimit me qenie njerëzore në Policinë e Kosovës. Ai tha se që nga viti 2010 janë fuqizuar kapacitetet policore në luftimin e kësaj dukurie, ndonëse ende mbetet sfidë.

“Trafikimi me qenie njerëzore mbetet një prej fenomeneve sfiduese edhe për Kosovën. Statistikat flasin se nga viti në vit numri është pothuajse i njëjtë dhe sillet nga 30 deri në 40 viktima të identifikuara. Nga viti 2010 janë fuqizuar kapacitetet policore në luftimin e dukurisë. Vitin e kaluar është formuar edhe njësiti i hetimeve të trafikimit të të miturve që shfrytëzohen për qëllime të ndryshme për tu trafikuar. Duhet cekur se 45 për qind e të trafikuarve janë nën moshën 18 vjeçare, që do të thotë se janë fëmijë”, ka thënë Murati.

Përfaqësuesja e Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Njerëz, Hamijete Dedolli, i ka thënë se çështja e trafikimit me njerëz vazhdon të jetë një shqetësim dhe sfidë për Kosovën.Ajo përmend mungesën e përkrahjes financiare nga institucionet përgjegjëse për mbështetje të viktimave.

“Kemi buxhet deri në fund të këtij viti. Ne jemi organizatë që ofrojmë asistencë, rehabilitim dhe ri-integrim të viktimave të trafikimit. Kemi sfida të përditshme se si t’i ndihmojmë viktimat e trafikimit, ndonëse viktima ka dhe kanë nevojë për rehabilitim dhe ri-integrim. Numri më i madh i viktimave janë fëmijë”, thotë Dedolli.

Tutje, Dedolli thekson po ashtu se në këtë qendër marrin shërbime shumë viktima, qofshin shërbime ditore apo edhe qëndrim dhe ri-integrim. Kurse në mungesë të mjeteve, nga fillimi i vitit të ardhshëm, sipas saj, qendra rrezikon të mbetet pa shërbime.

“Për momentin i kemi pesë viktima në rehabilitim, derisa të tjera janë në ri-integrim, por ka edhe ato që vijnë për shërbime ditore qoftë për seanca me psikolog apo edhe të ushqehen. Ne punojmë me ri-integrim vetëm atëherë kur marrin donacione, duke i ndihmuar gratë qoftë me ndonjë kurs profesional apo të paguajmë qira për ndonjë grua”, tha Dedolli.

Ministria e Punës, sipas saj, paguan 2500 euro në muaj për gjitha shërbimet u ofrohen viktimave, ”e që është sfidë dhe mbetet problem serioz mungesa e buxhetit, pasi viktima po ka, e buxhet jo”.

Kohë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) kishte vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk i plotëson në tërësi standardet minimale për eliminimin e trafikimit. Raporti, kishte vlerësuar se korrupsioni qeveritar krijon “një ambient që mundëson disa prej krimeve të trafikimit”, derisa kujton se “disa oficerë policorë, punonjës të ministrisë së punës dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë janë akuzuar apo dënuar për krime të trafikimit”.

Grupet kriminale në Kosovë, sipas DASH-it, nuk detyrojnë në prostitucion vetëm vajza nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, Moldavia, Rumania, Serbia dhe vende të tjera evropiane.