Lajme

Granit Xhaka, viziton Prishtinën

Në stadiumin e Prishtinës Granit Xhaka, të cilin të mërkurën e kemi parë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve në “St Jacob” të Zvicrës, ku me Baselin e tij e kishte bërë gjigantin e futbollit britanik, Manchester Unitedin të dilte kokulur nga stadiumi.

Mesfushori e kujton atë mbrëmje dhe duelet jo të lehta me legjendën Ryan Giggs. “Giggs është 38 vjeçar dhe vazhdon të luajë në Ligën e Kampionëve, është një lojtar me shumë eksperiencë. Unë jam sa gjysma e moshës së tij, 19- vjeçar, dhe nuk ishte aspak lehtë të përballesh me të, kishte eksperiencën e ishte shumë i mirë”, ka thënë Xhaka, shkruan Zëri.

Për dallim nga shumë futbollistë shqiptarë që luajnë në Evropë, Xhaka e flet shqipen rrjedhshëm, pa asnjë futje të fjalëve të gjuhës që e flet çdo ditë. Para pesë viteve, ai kujtonte se kishte ardhur në Prishtinë si 13 vjeçar dhe kishte luajtur në stadiumin e qytetit.

Remzi Ejupi, e president i FC Prishtinës, ia dha një fanellë të klubit, kurse Xhaka atij një palë këpucë të tij të futbollit, nga sponsori i tij Adidas.

Modestia e Xhakës u pa, kur gjatë tërë kohës e mbajti të veshur fanellën e FCP-së dhe jo siç ndodh rëndom që futbollistët ta heqin posa të kryejnë fotografitë dhe ceremonitë para publikut. E veçanta e këpucëve ishte se në të djathtën, sipër thembrës, ishte në formë të rrumbullakët flamuri i Zvicrës, por në këpucën e majtë në formë të njëjtë ishte flamuri shqiptar dhe ai i Kosovës.

“Në Zvicër ka shumë futbollistë të talentuar shqiptarë dhe shumë të tjerë janë duke ardhur e po vijnë në shprehje. Shqipëria nuk po tregon fare interesim për ata, kështu ndodhi edhe me mua, kur unë zgjodha Zvicrën, filluan interesimin, por ishte vonë, nuk jam pishman që kam zgjedhur Zvicrën, sepse aty është jeta ime. Te Zvicra jemi shumë futbollistë shqiptarë në kombëtare, por Valon Behrami mbetet idhulli ynë, ai është kryesori dhe i cili na ndihmon për shumëçka”, ka thënë Xhaka, shkruan Zëri.

Por, sikur t’ju vë në sprovë Kosova? “Nuk mund të them as po as jo, kryesorja shpresoj që Kosova të pranohet dhe të luajë ndeshje, për të tjerat do t’ia bëjmë lehtë”, ka thënë mesfushori buzagaz.

Zvicra në kualifikimet e ardhshme është në grup me Shqipërinë. “Ndeshje aspak të lehta këto. Sigurisht se do të kemi shumë emocione, unë jam shqiptar dhe gjaku nuk është ujë, do të jetë një lojë shumë e vështirë për ne”, ka deklaruar Xhaka.