Kultura

Grupi teatral “Aktrimi” përmes teatrit po përçon humanizëm

Të bësh art e teatër dhe të kesh edhe mision humanizmi është e veçanta e grupit teatral “Aktrimi” nga Cyrihu i Zvicrës.

Ky grup arktorësh gjithçka japin prej vetes, sakrifikojnë veten dhe angazhimet e tjera. Ata janë emigrantë të rinj që kishin ardhur nga Kosova, Maqedonia dhe trevat e tjera. Aktorët po bëjnë përpjekje maksimale për të ofruar shfaqje teatrale për mërgatën shqiptare atje, por shpeshherë janë edhe me paraqitje skenike për integrimin në shoqërinë zvicerane. Por kohëtë e fundit ata skenën e teatrit e kanë shndërruar edhe në një mision humanitar.

Fryma e artit dhe e humanizmit

Janë dy-tri aktivitete humane që shquajnë këtë grup të aktorëve. Ata disa muaj më parë me vetiniciativë grumbulluan rreth 10 mijë euro për të ndihmuar një fëmijë me sëmundje të rëndë nga Çerkezi i Kumanovës, të cilit i nevojiteshin një shumë e konsiderueshme për shërim në Turqi.

Avdi Amidi thekson për Albinfo.ch se ideja e tyre ka qenë që skenën ta shfrytëzojnë edhe për misione humane dhe se kënaqësia e tyre më e madhe është që fondet që grumbullohen nga shfaqjet e tyre të shkojnë në misione humanitare.

“Ne jemi përkushtuar që të bëjmë një mision të tillë. Skenën e kemi për kënaqësinë tonë dhe nuk duam asnjëlloj përfitimi material. Qëllimi ynë është që porosia përmes shfaqjes të shprehë edhe një akt humanizmi. Por, njëkohësisht kjo praktikë duhet të vlejë edhe për aktivitete të tjera apo ahengje që sado pak të ndihmojmë njerëzit tanë që kanë nevojë”, theksoi Amidi.

Aktiviteti i tyre i fundit human është ndihma për Kumanovën, gjegjësisht për banorët e Lagjes së Trimave. Grupi “Aktrimi” bashkë me disa donatorë dhe artdashës pas ngjarjes së Kumanovës organizuan një aktivitet kulturor, ku u mblodhën një sasi parash që iu dërguan banorëve më të goditur nga përleshja e armatosur e 9 dhe 10 majit.

Avdi Amidi, bashkë me disa kolegë artdashës ua dorëzoi paratë disa familjarëve që u goditën më së tepërmi, por edhe dy familjeve të të burgosurve në rastin e Kumanovës.

Misioni vazhdon

Aktori Avdiu thekson se misioni i tyre human vazhdon dhe se do t’i përgjigjen gjithmonë çdo kërkese në nevojë, sidomos për fëmijët.

“Interesimi ynë është për të ndihmuar aq sa kemi mundësi. Për gjithçka që po bëjmë, po ndjejmë një kënaqësi të madhe nga gjithë këto aktivitete. Kemi marrë vlerësime pozitive nga aktorë dhe personalitete të tjera, të cilët kanë përshëndetur aktivitetin tonë duke na inkurajuar për punë dhe aktivitete të mëtejshme. Kjo na bën të jemi shumë krenarë”, theksoi Avdiu.
Grupi i aktorëve përbëhet nga Avdi Amiti, Ramadan Morina, Veli Berisha, Yllka Zuzaku Mustafa, Fikrim Morina, Xheneta Avdili – Zuzaku, por së fundi edhe aktori Veton Ibrahimi. Ata theksojnë se puna e tyre bëhet në baza krejtësisht vullnetare. “Jemi dhënë pas kësaj pune, sepse e bëjmë me shpirt artisti. Çdo kohë të lirë që e kemi ne ia dedikojmë punës sonë për të përgatitur ndonjë projekt artistik. Ditëve të fundjavës mundohemi të bëjmë punët maksimale dhe shqyrtojmë projekte të ndryshme”, thekson aktori Veli Berisha, i cili thekson se kjo që po bëjnë është një punë dhe angazhim i dytë.

Ballafaqimi me sfidat dhe projektet e reja

Grupi i aktorëve “Aktrimi” thekson se nuk heqin dorë nga puna e tyre dhe për të dëshmuar në Zvicër se shqiptarët janë të shquar edhe për art dhe kulturë e teatër. Me ato mundësi të tyre ata përgatisin shfaqje, ia ofrojnë publikut, që ndonjëherë është simbolik nëpër salla, por megjithatë nuk i dëshpëron aktorët e rinj që thonë se një ditë kanë si synim që të mbushin sallat dhe të zgjerohen me figura të reja të aktorëve dhe duke sjellë edhe shfaqje të tjera.
Ky grup teatral vitin e kaluar solli  shfaqjen “Kufomat e Gjalla” nga Maqedonia, e cila u shfaq në Cyrih dhe disa qytete të tjera. Tani po përgatitet edhe një projekt tjetër për të sjellë një grup të artistëve të tjerë gjatë muajit shtator.

Edhe ky aktivitet i tyre bëhet pa asnjë përkrahje. Avdi Amidi si udhëheqës i grupit thekson se nuk kanë pasur përkrahje institucionale, por i janë ofruar mundësi ashtu që disa komuna i lejojnë sallat dhe ambientet e ndryshme për të shfaqur shfaqjet. Ai thekson se ka pasur një premtim përkrahjen e një projekti nga Ministria e Diasporës e Kosovës, por nuk ka pasur deri tani asnjë përgjigje.

“Sa i përket ambasadës së Maqedonisë apo ndonjë ministrie, siç është e Kulturës, nuk ka asnjë interesim, bile nuk vijnë as edhe në shfaqje. Këtë e them, sepse shpalljet tona janë në mediat shqiptare në Zvicër dhe çdokush informohet përmes tyre. Neve na duhet përkrahje, sepse qëllimi ynë që t’i ofrojmë diasporës sonë shfaqje dhe frymë të kulturës dhe artit tonë”, deklaroi Amidi.

“Aktrimi” së fundi ka marrë një ftesë për të shfaqur një shfaqje të tyre në Zagreb dhe kjo ftesë ka ardhur nëpërmes Qendrës kulturore Shqiptare në Cyrih. “Ky është një mision që nuk do të ndalet, ne do të vazhdojmë”, është një slogan që përsëritet nga aktorët e këtij grupi të aktorëve që me shumë sfida po bëjnë art në Zvicër.