Shqipëria

Hahn do të vizitojë Shqipërinë, hapja e negociatave do të ndodhë patjetër

BE-ja nuk pranon asnjë vend që ka konflikte me ndonjë fqinj. Ka pasur keqkuptime për vijën kufitare, besoj se do të zgjidhet brenda dy javësh, tha Hahn.

Komisioni Europian kërkon që patjetër të nisë bisedimet për 35 kapitujt me Shqipërinë në qershor të vitit të ardhshëm, shkruajnë mediat e huaja. Komisari i zgjerimit, Johanes Hahn, pas një takimi me kryeministrin Edi Rama theksoi se planifikon një vizitë të martën e ardhshme në Tiranë, përcjell albinfo.ch.

“Komisioni Europian do të vazhdojë të ndjekë zbatimin e reformave për hapjen e negociatave për vitin e ardhshëm. Do të bëhet gjithçka për të ecur përpara me hapat e parashikuar për negociatat. Ne do të jemi edhe në Tiranë. Do të flasim me Qeverinë dhe opozitën. Do të arrijmë këtë qëllim për shoqërinë shqiptare. Është qëllim i përbashkët, që na përket të gjithëve”, tha Johannes Hahn, Komisar për zgjerimin.

Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama theksoi se “jemi të gatshëm të nisim përgatitjet për hapjen e negociatave dhe të përmbushim gjithçka që na është kërkuar”.

I pyetur në qoftë se një marrëveshje me Greqinë fqinje do të përshpejtonte hapat për Shqipërinë drejt BE-së, Komisari Hahn u përgjigj:

“BE-ja nuk pranon asnjë vend që ka konflikte me ndonjë fqinj. Ka pasur keqkuptime për vijën kufitare, besoj se do të zgjidhet brenda dy javësh”.